Stadiumi ikonik i futbollit brazilian, ‘Maracana’, mund të ndryshojë pronësinë e tij, pasi qeveria rajonale e Rio de Janeiro ka vendosur ta vendosë në shitje për të mbledhur fonde dhe për të shlyer një pjesë të borxhit ndaj qeverisë federale.

Vendimi u mor nga Komiteti i Kushtetutës dhe Drejtësisë i Asamblesë Legjislative të Shtetit, i cili ka përfshirë ‘Maracanën’ mes 14 aseteve të tjera në listën e pronave që synohet të shiten. Presidenti i komisionit, Rodrigo Amorim, deklaroi se qëllimi është të zvogëlohen kostot e mirëmbajtjes së pronave të shtrenjta dhe nënshfrytëzuara. Ai vuri në dukje se për një ndeshje të vetme në ‘Maracana’, qeveria paguan rreth 160 mijë euro.

Projekti tani do të votohet në seancën plenare të rajonit. Sipas ligjit të buxhetit të vitit 2026, shteti i Rio de Janeiro do të duhet t’i paguajë qeverisë federale 2.2 miliardë dollarë për interesa borxhi dhe amortizim.

Një stadium me histori të jashtëzakonshme

‘Maracana’ është më shumë se një stadium, është një simbol i futbollit botëror. Ai ka pritur dy finale të Kupës së Botës.

‘Maracanazo 1950’ – Ndeshja finale, ku Uruguai mposhti Brazilin organizator 2-1, duke shkaktuar tronditje kombëtare në Brazil. Tragjikisht, disa tifozë i dhanë fund jetës për shkak të zhgënjimit dhe basteve të vendosura në fitoren e Brazilit. Vendi mbeti në zi për tre ditë.

Finalja e 2014 – Gjermania mposhti Argjentinën 1-0 në kohën shtesë, falë golit të Mario Getze në minutën e 112-të.