Serie A e futbollit në Itali është në raundin e shtatë. Këtë të diel gjithçka nisi në orën 12:30, me Comon që fitoi në shtëpi 2-0 kundër Juventusit. Aspak surprizë në “Giuseppe Sinigaglia”, teksa Como ishte superiore dhe i shkaktoi Juves humbjen e parë këtë sezon, duke i marrë edhe vendin e pestë në kampionat.

U deshën vetëm katër minuta lojë që Como të zhbllokonte ndeshjen. Një krosim i Nico Paz bëri që Kempf në shtyllën e dytë mos e kishte të vështirë për të tundur rrjetën. Vijimi i lojës pa një Juventus pa ide dhe në minutën e 79-të Nico Paz shënoi një gol të bukur me të majtën nga brenda zonës. Ky sukses për Comon kundër Juves vjen 73 vite pas fitores së fundit (20 janar 1952).

Pas këtij dueli, Como me 12 pikë merr vendin e pestë, duke lënë Juven po me 12 pikë, por në vendin e gjashtë. Ndeshja e radhës për Juven do jetë në ‘Olimpico’ kundër Lazios, teksa Como udhëton drejt Parmës.