Një mbrëmje europiane me emocione ishte e enjtja për skuadrat shqiptare në Conference League. Shkëndija e Tetovës arriti fitoren e parë historike (1-0) në fazën e ligës, ndërsa Drita e Gjilanit u ndal në një barazim 1-1 me Omonian e Qipros.

Në stadiumin e Shkupit, kuqezinjtë e Shkëndijës triumfuan 1-0 ndaj Shelbourne, në një ndeshje të fortë dhe të luftuar deri në fund. Pasi i rezistuan presionit të vazhdueshëm të irlandezëve, fati u buzëqeshi vendasve në minutën e 92-të, kur një autogol nga Barrett vulosi rezultatin dhe ndezi festën në kampin tetovar. Kjo fitore i dha skuadrës së trajnerit Jeton Beqiri tri pikët e para në fazën e grupeve të turneut, ku Shkëndija është debutuese.

Ndërkohë në Prishtinë, Drita regjistroi barazimin e dytë radhazi në po aq ndeshje. Kampionët e Kosovës barazuan 1-1 ndaj Omonias së Qipros, në një përballje ku të dyja skuadrat patën rastet e tyre. Gjilanasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 12-të, pas një goli të bukur me kokë nga Arb Manaj, i asistuar nga Besnik Krasniqi. Megjithatë, fundi i pjesës së parë solli zhgënjimin për vendasit, pasi Masouras realizoi golin e barazimit në minutën e parë shtesë.

Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, duke i dhënë Dritës pikën e dytë në grup, ndërsa Omonia regjistroi pikën e parë të saj.