Ilir Muharremi

Dashuro aq shumë, sa jeta vetë të duket e pamjaftueshme. Dashuro përtej dashurisë. Dashuro me shpirt dhe premto me bindje për jetën. Dashuria garanton vetëm shpirtin. Zhgënjimi në dashuri thyen trupin, por jo tërësisht shpirtin, shpirti je ti, dhe dashuria të bën të largohesh nga vetja. Ndoshta as ti nuk ke dëshirë të dashurosh kaq shumë, por energjia sundon ekzistencën tënde dhe të saj. Ju të dy jeni një energji, por kjo nuk i reziston përjetësisë, dashuria gjithnjë kthehet te shpirti, aty pushon lehtë dhe prej aty lind sërish.
Kur dhemb shpirti, dashuria ngrihet në qiellin e shtatë, trupi vyshket dhe lëkura tkurret. Yjet dhe energjia jote bashkëjetojnë një kompozim harmonik. Pajtohu me dashurinë dhe me vuajtjen që ajo sjell, kështu do të të bëhet më e lehtë të presësh lindjen e diellit. Mbi horizont, shpirti yt çlirohet pas kësaj rrëmujë skëterre. Lirohu përtej vuajtjes beso në energjinë tënde medituese të dashurisë.

Dashuroje nga flokët e deri te thembrat, duke rrëshqitur nga balli, vetullat dhe shkëlqimi i syve nën qerpikun e hënës. Ndjeji buzët dhe lejo të veprosh pa mirësjellje, lejo që energjia ta përthithë me dashuri. Mos e anashkalo qafën ajo është pjesë e saj, ledhato, ledhato. Rrëshqit ngadalë nëpër lëkurën e saj dhe ndjej aromën e veçantë, sepse çdo femër ka aromën e vet.

Ndjej butësisht çdo ledhatim engjëllor e hyjnor. Zotat janë me ty është një aleancë pa kompromis dhe pa interes. Dashuro, sepse yjet bashkohen dhe janë në anën tënde. Duaje sinqerisht me gjithë qenien tënde dhe do të jesh fitimtar, jo humbës sepse jeta brenda skeletit tënd ka përjetësinë. Askush s’ka vdekur nga dashuria vetëm vetëvrasja e humb trupin. A do të vdesësh për shkak të dashurisë, apo do të qëndrosh në dashuri, edhe kur ajo është e humbur? Sërish, një derë e hapur është për të dashuruarit. Zinxhirët zbutin ashpërsinë e korrozionit ata i nënshtrohen kopshtit të Edenit. Dashuri me zjarr, me mllef, me qejf, me xhelozi sepse je vetëm ti në këtë energji. Me lodhje, me afsh por afshi është kafshor, ndërsa dashuria është diçka tjetër me zemër, me jetën tënde. Sakrifiko frymën e fundit për dashurinë. Bëhu i bindur se energjia e dashurisë ekziston.

Mbyll sytë ndjej siluetën e saj në shpirt, përhumbu në përqafimin e saj dhe lutu që kjo të zgjasë shumë, tepër shumë. Jashtë gravitetit. Të dashurosh është shumë shkurt, pjesë e përjetimit, s’ka kthim dhe kujtim, është shpatë në gjoks, por nuk jemi të gjithë 18 vjeçar që prapë të rifillojmë nga fillimi. Respekto dashurinë, se është sëpatë e zemrës, mprehtësinë e ke në pushtet ti.