Al Pacino ka shkruar një letër të ndjerë për ish-partneren e tij, aktoren Diane Keaton, e cila u nda nga jeta më 11 tetor në moshën 79-vjeçare për shkak të pneumonisë. Aktori 85-vjeçar u shpreh se është i shkatërruar nga lajmi i vdekjes së saj dhe rrëfeu se ajo kishte qenë një nga njerëzit më me ndikim në jetën e tij.
Pacino dhe Keaton u njohën gjatë xhirimeve të trilogjisë së famshme “The Godfather” dhe qëndruan bashkë për rreth 20 vjet. Edhe pse u ndanë në vitin 1990, pas një ultimatumi nga Keaton për martesë që Pacino nuk e pranoi, ata ruajtën një marrëdhënie të ngushtë dhe respekt të ndërsjellë gjatë gjithë jetës.
Në letrën e tij për Deadline, Pacino shkroi se ishte thellësisht i tronditur kur mori vesh lajmin e hidhur. Ai e përshkroi Diane Keaton si partnere, shoqe dhe një njeri që i solli gëzim dhe ndikoi fuqishëm në drejtimin e jetës së tij. Ai tha se, edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vite që nga ndarja e tyre, kujtimet me të janë ende të gjalla dhe tani, me largimin e saj, janë rikthyer me një forcë të dhimbshme.
Aktori gjithashtu vlerësoi energjinë dhe natyrën frymëzuese të Keaton. Ai theksoi se ajo ishte një grua e pandalshme, e paepur dhe thellësisht njerëzore, që do të mungojë, por do të kujtohet gjithmonë. Në përfundim të letrës, Pacino shkroi se ajo “mund të fluturonte” dhe se në zemrën e tij do të “fluturojë gjithnjë”.
Në një moment tjetër domethënës, gjatë një ceremonie çmimesh në vitin 2017, Pacino i ishte drejtuar Diane Keaton me fjalët: “Je një artiste, Di. Je një artiste e madhe… të dua, përgjithmonë.”
Edhe pse nuk ishin më bashkë prej vitesh, dashuria dhe respekti mes tyre mbetën të paprekura deri në fund.