I ftuar në “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, juristi Ylli Manjani foli në lidhje me skenaret që mund të ndodhin pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës.
Sipas Manjanit, tani gjërat fillimisht varen nga ish-kryebashkiaku Veliaj, i cili ka në dorë që, pasi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin e tij, të ankimojë dekretin e Bajram Begajt për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
Megjithatë, Manjani foli edhe për një skenar tjetër, i cili sipas tij do t’i nxirrte të gjitha palët të kënaqura, përveç opozitës.
“Në kushte normale, Erion Veliaj duhet të kërkojë në Gjykatën Kushtetuese automatikisht që sonte, po të ketë mundësi, që të pezullohet menjëherë dekreti i presidentit sepse vjen nga një informacion i paligjshëm, vjen nga një informacion vakum, vjen nga një injorim i Kushtetutës, dhe Gjykata Kushtetuese e ka këtë të drejtë që ta pezullojë dekretin e presidentit për sa i takon Bashkisë së Tiranës, jo pjesës tjetër. Do të thotë se shiko, kjo kërkesa ime po injorohet, se nëse bëhen zgjedhjet, çfarë kuptimi ka më pas gjyqi, s’ka aspak kuptim, humbet objekti i gjyqit për ankesën e parë. Prandaj, nëse Veliaj e bën këtë ankim tjetër, topi kalon nga Presidenca te Gjykata Kushtetuese. Por ka edhe një variant tjetër sesi palët mund të dalin të gjitha fituese: nëse Veliaj nuk bën ankim në Kushtetuese për dekretin e Begajt për zgjedhjet, lejohet zhvillimi i zgjedhjeve; Rama fiton që bëhen zgjedhjet; Veliaj fiton gjyqin; ndërkohë Manastirliu fiton bashkinë; dhe Begaj fiton sepse zbatohet dekreti i tij për të mbajtur zgjedhjet. Dhe Gjykata Kushtetuese thotë: çfarë ndodhi, ndodhi, por të mos ndodhë më. Dhe nuk është çudi që ky skenar të ndodhë”, tha Manjani.”
Kujtojmë që këtë të mërkurë Presidenti Begaj dekretoi 9 nëntorin si datë për zgjedhje të parakohshme për 6 bashki, përfshirë edhe atë të Tiranës.