Alessandro Del Piero ka folur për Kenan Yildiz, talentin e Juventusit, i lindur më 2005, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”: “Nga ajo që kam parë deri tani, brenda dhe jashtë fushës, nuk ka nevojë për këshilla. Është një djalë serioz, punëtor, që dëshiron të bëhet simbol i klubit dhe të ketë sukses. Deri tani po e bën punën e tij në mënyrën më të duhur”.

Ish-numri 10, legjenda e bardhezinjve shtoi për talentin turk: “Është e qartë që do të ketë momente të vështira, momente më shumë ose më pak pozitive, ndaj duhet të mbështetet te njerëzit e duhur. Shpresoj që gjithmonë të ketë pranë vetes njerëzit e duhur, që mund t’i thonë atë këshillë për të cilën ka nevojë në atë moment”.

Del Piero komentoi edhe për sulmuesit e parë të skuadrës së Tudor, Vlahovic, David dhe Openda: “Duhet të njihni karakterin dhe personalitetin e sulmuesve për të kuptuar çfarë është më e mira. Ndryshimet janë të nevojshme për të pasur lojtarë të freskët kur luan çdo tri ditë, ashtu si më parë, por atëherë ekipet ishin të strukturuara ndryshe dhe shpesh luanim titullarë”.