Të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar dëme në banesa dhe bagëtitë nga zjarret e muajve të verës, do të dëmshpërblehen tërësisht. Kjo është bërë e ditur nga Kryeministri Edi Rama në aktivitetin për modernizimin dhe transformimin e mbrojtjes civile.
Dëmshpërblimi i qytetarëve do të bëhet përmes një akti normativ të qeverisë që do të dalë së shpejti.
“Ashtu sikundër e bëmë të qartë që në momentin e vetë përballjes me zjarret, angazhimi moral dhe ligjor lidhur me banesat dhe krerët e humbur të bagëtive do të mbahet pikë për pikë. Tanimë është inventari i plotë dhe të gjithë ata që kanë humbur banesat apo krerë bagëtish duhet të jenë të qetë për faktin që me kalimin e aktit normativ të qeverisë së shpejti, do dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë. Kjo besoj është shumë e rëndësishme”, theksoi Kryeministri Edi Rama.