Forcat e RENEA-s, të mbështetura nga pjesëtarë të repartit FNSH, kanë zbarkuar në qytetin bregdetar të Sarandës dhe në territorin e Bashkisë Konispol, ku po kryejnë një operacion të zgjeruar kontrollesh dhe hetimesh në lidhje me vrasjen e 58-vjeçarit Isuf Jaçaj.
Sipas burimeve pranë hetuesve, autoritetet janë përqendruar në një pistë kryesore, atë të hakmarrjes, që dyshohet të jetë motivi i krimit.
Dyshohet se vrasja e Jaçajt është një akt ndëshkimi, i lidhur me përfshirjen e të birit të tij, K.J, në një ngjarje kriminale të ndodhur më 17 korrik në Sarandë, ku u plagosën dy persona.
31-vjeçari, u dorëzua vetë në Komisariatin e Sarandës më 23 korrik, vetëm dy ditë pasi një mjet në pronësi të tij, tip “BMW”, u hodh në erë nga një shpërthim me eksploziv.
Ngjarja ndodhi pranë banesës së tij dhe ende nuk është zbardhur plotësisht. Pas vetëdorëzimit, ndaj tij u ngritën akuzat për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “moskallëzim krimi”, dhe u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”.
Ngjarja me rrënjë në këtë seri të hakmarrjes nisi më 17 korrik, kur në lagjen nr. 4 të Sarandës, 43-vjeçari R.Z., i njohur edhe si R.C, hapi zjarr ndaj dy të rinjve nga Kamza – G.H, 33 vjeç, dhe E.L, 25 vjeç – të cilët kishin precedentë penalë në këtë qytet.
Më herët, në janar të këtij viti, ata ishin përfshirë në një incident me policinë lokale, por më pas ishin lënë të lirë. Pas plagosjes, G.H iu gjet një armë zjarri dhe u arrestua në spital.
Autori i dyshuar, R.Z, një emër i njohur për autoritetet për shkak të një dënimi për vrasje në Greqi, u arratis nga vendi i krimit dhe u kap nga policia në Korçë më 22 gusht, i armatosur. Dy persona që ndodheshin me të në momentin e ngjarjes, janë dorëzuar më parë.
Sipas hetimeve të fundit, në atentatin e mbrëmshëm ndaj Isuf Jaçajt është përdorur një sasi rreth 800 gram eksploziv, e vendosur poshtë automjetit të tij “Toyota”, ndërsa shpërthimi dyshohet të jetë aktivizuar me telekomandë.
Policia ka shoqëruar më shumë se 10 persona për t’i marrë në pyetje, ndërsa përballen me vështirësi në sigurimin e provave konkrete për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi shpërthimi. Forcat e rendit vijojnë kontrollet dhe hetimet në përpjekje për të çuar përpara zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.