Ushtria izraelite njoftoi se do të ndalonte sulmet e saj në Rripin e Gazës në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit, pasi kreu dhjetëra sulme vdekjeprurëse kundër asaj që i quajti objektiva të Hamasit, të cilat i akuzoi për sulme ndaj forcave izraelite.

“Në përputhje me urdhrat e udhëheqjes politike dhe pas një serie sulmesh të rëndësishme në përgjigje të shkeljeve të Hamasit”, ushtria “po kthehet në zbatimin e armëpushimit”, thuhet në deklaratë.

Ushtria izraelite “do të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit dhe do t’i përgjigjet ashpër çdo shkeljeje”, thuhet në deklaratë.

44 të vdekur në Gaza
Ushtria izraelite nisi dy valë sulmesh ajrore në Rripin jugor të Gazës “kundër objektivave terroriste të Hamasit”, duke pretenduar se kjo ishte në përgjigje të sulmeve të Hamasit, të cilat organizata palestineze i mohoi. Sipas një gazetari të AFP-së, sulmet izraelite u drejtuan në anën lindore të Khan Yunis, në sektorin jugor të enklavës palestineze. Sipas BBC-së, 44 persona u vranë në këto sulme. Më shumë se gjysma e të vdekurve u regjistruan në spitalin Al-Awda, në pjesën veriore të Gazës.

Dy të vdekur
Sipas gazetës Times of Israel, Forcat e Armatosura Izraelite njoftuan se dy ushtarë u vranë dhe tre u plagosën në një sulm “terrorist” në Rafah. Ushtarët e vdekur janë Major Yavin Kula, 26 vjeç, dhe Rreshter Itai Yavetz, 21 vjeç. Të dy shërbyen në Batalionin e 932-të të Brigadës Nahal.