Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka bërë me dije vendimet në bazë të javës së fundit. Te moshat, zyrtarët e Partizanit dhe Tiranës U-16 kanë marrë nje pezullim me gjashtë ndeshje për sulm ndaj kundërshtarëve. Bëhet fjalë për trajnerin e Partizanit U-16, Ermal Serjani dhe zyrtarin e Tiranës U-16, Akil Jakupi. Derbi mes tyre u fitua 1-2 nga Tirana.
Ndërkohë bie në sy pezullimi me një vit i Brajan Markut, portierit të Tërbunit që dhunoi policin bashkiak të Kukësit. 22-vjeçari ishte titullar në humbjen 3-1 të Tërbunit kundër Kukësit për Kupën e Shqipërisë, teksa në fundin e takimit ka bërë një sjellje jo të hijshme, duke u vendosur në pranga nga policia.
Ndërkohë që katër klubet e Superligës, Tirana, Vllaznia, AF Elbasani dhe Vora janë gjobitur për shkak të sjelljes së tifozëve.
Vendimet e plota të Disiplinës:
KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
AF Elbasani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Loro Boriçi” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
FK Vora, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
KF Pogradeci, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Zyrtari i KF Burreli, Klevis Gjoka, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes në mënyrë të përsëritur, në bazë të neneve 14/1/j dhe 33/1/a të KDE, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i KF Gramshi, Gazmir Fucija, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i KF Maliqi, Erjon Beqiraj, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i KF Erzeni, Durim Keçi, për kërcënim ndaj zyrtarëve të ndeshjes në mënyrë të përsëritur, në bazë të neneve 14/1/k dhe 33 të KDE, dënohet me 6 (gjashtë) muaj pezullim nga veprimtaritë. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet dhe në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.