FIFA dhe presidenti i SHBA-s Donald Trump, janë përfshirë këtë periudhë në disa deklarata në distancë që sjellin jo pak konfuzion mes tifozëve. Një ditë më parë, Trump u shpreh se Gianni Infantino ishte dakord për të ndryshuar lokacionin e disa ndeshje që do të zhvillohen në SHBA, kjo për arsye sigurie. Mes shteteve që janë në kalendar për të mirëpritur ndeshje janë Boston dhe Los Angeles, por këto vende nuk konsiderohen të sigurta.
Botërori FIFA2026 do të organizohet në tre shtete, SHBA, Kanada dhe Meksikë, por peshën kryesore e ka SHBA pasi 11 nga 16 qytetet që do të mirëpresin ndeshjet janë në vendin e Trump. Nuk e ka hedhur poshtë këtë opsion as FIFA, me qeverinë e futbollit botëror që ka reaguar me anë të një zëdhënësi:
“Shpresojmë që të 16 qytetet që janë përcaktuar për të mirëpritur këtë turne të jenë gati dhe të plotësojnë të gjithë kushtet që kërkohen. Siguria është prioriteti absolut i FIFA-s në çdo turne, por sigurisht që përgjegjësia për rendin publik dhe sigurinë është në dorë të autoriteteve dhe qeverisë, i mbetet atyre në dorë të vendosin se çfarë është me e mira për interesin publik”, u shpreh zëdhënësi i FIFA-s. Botërori FIFA2026 starton më 11 qershor deri më 19 korrik.