Roberto Bordin rrezikon të shkarkohet nga stoli i Tiranës pa mbushur ende dy muaj nga marrja e detyrës. Bardheblutë u mposhtën të mërkurën 1-4 nga AF Elbasani në “Air Albania”, teksa mbeten të parafundit në renditje dhe në fund të fazës së parë të Superligës kanë grumbulluar vetëm gjashtë pikë.

60-vjeçari Bordin u ul në stolin e Tiranës më 7 shtator të këtij viti, kjo pasi bardheblutë shkarkuan Vangjel Milen pas vetëm dy ndeshjeve të para të këtij sezoni. Ndërrimi i trajnerit nuk ka rezultuar i duhuri dhe humbja e fundit kundër ish-ekipit të tij, ka bërë që stoli i Bordin “të dridhet”.

Vetëm pesë pikë në shtatë ndeshje (një fitore dhe dy barazime), kanë bërë që Bordin të jetë në pikëpyetje. Mesa duket te Tirana faji nuk është te stoli, por te golat e munguar që e kanë lënë klubin më të titulluar në Shqipëri në vendin e parafundit.

Në orët në vijim pritet të mësohet e ardhmja e italianit, ndërsa fakt është se bardheblutë vijojnë të garojnë në zonën e mbijetesës, njësoj si një sezon më parë.