Shqiptarja.com sigurin dhe publikon audion e debatit në sallën e gjyqit në Gjykatën e Elbasanit, ku avokati Ulian Barjami i drejtohet me tone kërcënuese prokurorit Gjergj Ceka. Ai u arrestua një ditë më parë me akuzën e “Kanosjes për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi e goditja e gjyqtarit”, dhe “Kanosja e gjyqtarit”.
Përplasja u shënua dy ditë më parë gjatë seancës për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, disa prej të cilëve ishin të armatosur. Mes të arrestuarve ishte dhe Maksim Suçi, klienti i avokatit Ulian Barjami. Pas përfundimit të seancës, prokuroi bëri kallëzim në policinë e Elbasanit për kanosje, ndërsa avokati u shoqërua dhe më pas u vu në pranga.
Report TV siguron audion, ku dëgjohet avokati Barjami teksa shprehet se provat janë të rreme dhe në një moment thotë “do të merrem personalisht me prokurorin dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore” dhe se do të bëjë kallëzim pasi konstaton element të veprës penale për shkak se provat i cilëson si të manipuluara. Prokurori e ka marrë si kërcënim dhe i thotë se duhet të arrestohet, ndërsa gjyqtarja Megi Strakosha ndërhyn menjëherë duke e ndërprerë dhe duke e kritikuar për gjuhën e përdorur. Avokati përmend se kallëzimi do ishte ligjor, ndërsa gjyqtarja e paralajmëron se do ta përjashtojë nga salla e gjyqit dhe në vend të tij do të caktojë një avokat kryesisht.
Pjesë nga debati:
Avokati Ulian Barjami: Kërkesa e prokurorit për vlerësim për caktim mase bazohet në disa prova. Një ndër to tregon që ka pasqyrim të rreme të të dhënave, dhe do të merrem personalisht edhe me prokurorin edhe me gjithë oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim…
Prokurori Gjergji Ceka: Duhet të arrestohesh…
Avokati Ulian Barjami: Do të bëj kallëzim për manipulim provash…
Gjyqtarja Megi Strakosha: Avokat nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit. Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëni ju jashtë kësaj salle.
Avokati Ulian Barjami: Ështe ligjore, konstatoj një vepër penale zonja gjyqtare…
Gjyqtarja Megi Strakosha: Të thashë për herë të fundit. Do të marr masa nga ato që parashikon Kodi i Procedurës. Ky lloj komunikimi në këtë sallë gjyqi me mua si gjyqtare nuk të lejohet. Përqendrohu te mbrojtja e të pandehurit tënd ose do të caktohet një avokat kryesisht dhe do të të nxjerr përjashta. Paralajmërimi i fundit.
Avokati Ulian Barjami: Mesa pashë konstatoj pasqyrim të të dhënave të rreme.
Lidhur me rastin, policia njoftoi sot: “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Elbasan ndaluan me iniciativë shtetasin U. B., 37 vjeç, banues në Tiranë, avokat, pasi gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, ka kanosur prokurorin e çështjes dhe oficerët e policisë gjyqësore, për shkak të detyrës së tyre funksionale.”
Dhoma Kombëtare e Avokatisë reagoi ashpër dhe e ka quajtur këtë ngjarje shumë të rëndë që cenon punën dhe lirinë e avokatit në sallën e gjyqit. Dhoma i bëri thirrje ILD, KLP dhe Prokurorisë së Përgjithshme që të veprojë urgjentisht për këtë ngjarje që e quan rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit.
Sipas Dhomës së Avokatisë, avokati Barjami ka reaguar, pasi pa videon ku klienti i tij nuk shfaqej duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, sikurse pretendonte prokurori Gjergji Ceka, dhe ne këto momente ka deklaruar se do të bëjë kallëzim ndaj këtij të fundit për falsifikim provash. Sikurse bën me dije Dhoma e Avokatisë, në ato momente prokurori e ka paralajmëruar se do të arrestojë, ndërsa avokati i është përgjigjur se do ta kallëzonte për falsifikim provash. (Shqiptarja.com)