Ish-ministri socialist Viktor Doda i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV ka bërë një analizë të thellë të periudhës së Fatos Nanos në krye të PS-së, duke balancuar vlerësimet për vizionin e tij me kritikat për dobësitë që i kushtuan pushtetin.

Duke filluar me një ‘mea culpa’ të fortë, Doda pranoi se pritshmëritë e shqiptarëve për PS-në pas vitit 1997 ishin të jashtëzakonshme. “Ne duhet t’i kërkojmë ndjesë këtij populli që nuk i përmbushëm ato pritshmëri siç duhet,” deklaroi ai.

Duke u thelluar në figurën e Nanos, Doda e cilësoi atë si “20 vjet para partisë” në pikëpamje politike, një lider që delegonte pushtet dhe pranonte kritika.

Megjithatë, ai identifikoi edhe anën tjetër të medaljes: “Në momentet kur duhej të tregohej shumë i përgjegjshëm, tregohej shumë i papërgjegjshëm.”

Si shembullin kryesor të kësaj ‘papërgjegjshmërie’, Doda zbuloi një prapaskenë të panjohur nga viti 2003, gjatë kulmit të përplasjes mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës.

Ai tregoi se si Nano e kishte pyetur për këshillë dhe ai i kishte propozuar një zgjidhje radikale: zgjedhje të parakohshme.

“I thashë ‘më mirë një fund i tmerrshëm se një tmerr pa fund’. Ideja ishte të bënim zgjedhje para se Iliri të krijonte parti, sepse partia e tij vota do të merrte nga ne,” shpjegoi Doda.

Sipas tij, Nano fillimisht e pëlqeu idenë, por më pas u tërhoq me arsyetimin se PD-ja ishte e dobët dhe nuk përbënte rrezik.

“Këtë zgjuarsi mirditorit, Fatosi e neglizhoi. Kjo ishte papërgjegjshmëria,” përfundoi Doda, duke aluduar se ky vendim i hapi rrugën humbjes së zgjedhjeve në vitin 2005.

Në një krahasim të drejtpërdrejtë mes dy liderëve historikë të Partisë Socialiste, Fatos Nanos dhe Edi Ramës, ish-ministri Viktor Doda ka ndarë pikëpamjet e tij për mënyrën se si secili e ka drejtuar partinë dhe vendin. Për Dodën, nuk ka dyshim: “Kryeministri më i mirë i gjithë periudhës së tranzicionit mbetet Fatos Nano.”

Argumenti kryesor i Dodës fokusohet te demokracia e brendshme partiake.

“Fatosi ishte jashtëzakonisht demokrat. Ai e demokratizoi shumë partinë. Asnjë vendim nuk merrej pa u diskutuar me bazën, në grupin parlamentar, në kryesi. Ka pasur raste që Nanos i janë thyer dhe vendimet,” shpjegoi ai, duke pikturuar një parti ku debati ishte i gjallë dhe vendimet ishin kolegjiale.

Nga ana tjetër, Doda e sheh ardhjen e Edi Ramës si një nevojë të kohës për t’u përballur me atë që ai e quan ‘radikalizmin’ e Sali Berishës.

“Duhej një figurë e fortë përballë Sali Berishës,” tha ai. Megjithatë, ai vëren një ndryshim gradual në stilin e drejtimit.

“Nga 2005-2009 respektoheshin institucionet. Më vonë, me sa duket me zhvillimin e teknologjisë së informacionit, ai merrte informacionet vetë dhe vendimet filluan të ndryshojnë.”

I pyetur nga gazetari se si ka mundësi që brezi i tij, i dalë nga Partia e Punës, ishte më demokratik se politikanët e sotëm, Doda la të kuptohet se sot mungon vullneti për të kundërshtuar liderin, një tipar që sipas tij ishte më i pranishëm në të kaluarën.