Presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e kërkimit të një mandati të tretë në Shtëpinë e Bardhë, duke deklaruar se “do ta donte shumë” një gjë të tillë, raporton BBC.

Megjithatë, Trump ka hedhur poshtë idenë për të kandiduar si nënpresident në vitin 2028, një mundësi që disa prej mbështetësve të tij e kanë përmendur si mënyrë për të anashkaluar kushtetutën amerikane, e cila ndalon një president të shërbejë më shumë se dy mandate.

Gjatë një deklarate për gazetarët gjatë udhëtimit të tij në Azi, Trump e cilësoi këtë ide si “shumë të zgjuar për të qenë e drejtë” dhe shtoi se “nuk do të ishte gjë e duhur”.

Nuk dihet ende se çfarë mënyre do të mund të përdorte ai për t’u rikthyer në garë. Javën e kaluar, ish-strategu i tij, Steve Bannon, deklaroi se ekziston një “plan” për t’i siguruar Trump-it, tashmë 79 vjeç, një tjetër mandat në krye të Shteteve të Bashkuara.

Duke folur për gazetarët në bordin e “Air Force One”, gjatë fluturimit nga Malajzia drejt Japonisë, Trump tha se teknikisht do të mund të kandidonte si zëvendëspresident, por nuk ka asnjë plan për ta bërë këtë.

“Mendoj se njerëzve nuk do t’u pëlqente,” u shpreh ai. “Është shumë e zgjuar si ide, por jo e drejtë.”

“Nuk e kam menduar seriozisht, por kam rezultatet më të mira në sondazhe që kam pasur ndonjëherë.”