Në një ceremoni solemne të mbajtur në ambientet e Akademisë së Sigurisë, u certifikuan 415 kursantët e rinj të Patrullës së Përgjithshme, të cilët përfunduan me sukses fazën përgatitore për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, përfaqësues të misioneve partnere, familjarë të kursantëve dhe figura të larta të sigurisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mbajti një fjalim të posaçëm gjatë ceremonisë, duke vënë në dukje rëndësinë e kësaj dite, si një moment të veçantë jo vetëm për kursantët, por për gjithë strukturën e Policisë së Shtetit.

“Sot padyshim është një ditë e veçantë për Policinë e Shtetit, për Akademinë e Sigurisë, por mbi të gjitha, sot është dita juaj”, u shpreh Proda. Ai theksoi misionin fisnik dhe të vështirë që kanë zgjedhur kursantët, duke i kujtuar se shërbimi ndaj qytetarëve kërkon ndershmëri, guxim, përkushtim dhe humanizëm.

“Uniforma që do të mbani veshur është simbol përgjegjësie dhe nderi. Kujtoni gjithmonë që për këtë uniformë kanë dhënë jetën qindra dëshmorë të Policisë dhe të atdheut”, tha më tej Proda.
Duke folur për pritshmëritë e qytetarëve ndaj brezit të ri të policisë, drejtori i përgjithshëm theksoi rëndësinë e respektit dhe profesionalizmit në çdo ndërveprim me publikun.

“Qytetarët presin shumë nga ju, si brezi i ri i Policisë së Shtetit… presin të shohin një polici më afër tyre, më njerëzore, më profesionale dhe më të drejtë”, u shpreh ai. Proda u bëri thirrje kursantëve të punojnë me përulësi dhe integritet, duke e konsideruar ligjin si busullën e tyre të vetme në çdo situatë.

“Në çdo situatë, busulla juaj është ligji, jo zgjidhjet personale. Punoni me pasion dhe përulësi!”, theksoi ai. Ai u zotua se si drejtues i Policisë së Shtetit do të mbështesë çdo punonjës të ndershëm, por njëkohësisht paralajmëroi se nuk do të tolerojë abuzimet me detyrën.

“Do të jem pranë çdo punonjësi të ndershëm e të përkushtuar të Policisë së Shtetit, por po me aq vendosmëri do të qëndroj kundër kujtdo që abuzon me detyrën ose cenon uniformën dhe besimin e qytetarëve”, deklaroi Proda. Ceremonia u mbyll me urime për kursantët dhe një mesazh të qartë nga kreu i Policisë së Shtetit.

“Ta nderoni uniformën që do të vishni dhe t’i shërbeni me krenari flamurit dhe atdheut!”.
Me këtë ceremoni, Policia e Shtetit forcon më tej radhët e saj me një brez të ri punonjësish të trajnuar dhe të përgatitur për sfidat e shërbimit publik.