Ka një thënie që secila administratë amerikane e zbulon Rusinë sërish. Pothuajse çdo president në dekadat e fundit ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë me shpresën për një fillim të ri, por rezultati ka qenë gjithmonë i njëjtë: sa më shumë t’i ofrohet Moskës, aq më shumë ajo kërkon.

Nga Radoslaw Sikorski nga New York Times

Në orët e para të 10 shtatorit, më shumë se 20 dronë të lëshuar nga Rusia shkelën hapësirën ajrore të Polonisë. Avionë të NATO-s u ngritën për t’i rrëzuar. Këta dronë nuk devijuan nga rruga. Ata nuk hynë në një vend të NATO-s gabimisht. Qeveria ime është e bindur se ishte një provokim i orkestruar nga regjimi rus. Vetëm pak më shumë se një javë më vonë, tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për rreth 12 minuta.

Këto dhe incidente të tjera janë prova të mëtejshme se Kremlini nuk është i interesuar për paqe, por për përshkallëzim. Nëse kjo ju çudit, nuk keni qenë duke i kushtuar vëmendje.
Që nga inaugurimi i tij, Presidenti Trump ka provuar çdo rrugë diplomatike për të arritur paqen në Ukrainë. Ai krijoi pozicionin e të dërguarit të posaçëm për misionet e paqes dhe emëroi në këtë detyrë dikë të pranueshëm për Kremlinin; diplomatët amerikanë janë takuar me homologët e tyre rusë në tokë neutrale dhe i dërguari i posaçëm ka vizituar Moskën disa herë; z. Trump personalisht dhe publikisht i ka kërkuar Presidentit Vladimir Putin të Rusisë të “NDALOJË!” luftën në Ukrainë, dhe kur z. Putin e injoroi kërkesën, z. Trump i ofroi ta takonte ballë për ballë në Alaskë.

Por aritmetika e luftës flet vetë: Rusia nuk po kërkon rrugëdalje. Shpenzimet e saj ushtarake për vitin 2025 vlerësohen të arrijnë në 15.5 trilionë rubla, rreth 190 miliardë dollarë, një rritje prej 3.4 për qind krahasuar me 2024. Shpenzimet për mbrojtje dhe siguri në 2026 pritet të konsumojnë rreth 40 për qind të gjithë buxhetit të Rusisë.

Dhe këtë prill- tre muaj pas marrjes së detyrës nga administrata e re amerikane- zyrtarët ukrainas thanë se Rusia po planifikonte të rrisë praninë e trupave në Ukrainë me 150 mijë deri në fund të vitit. Bombat ruse nuk kanë ndaluar kurrë së godituri qytetet ukrainase. Tani vijnë shkeljet e hapura të hapësirës ajrore të NATO-s. Këto shkelje nuk janë një spektakël dytësor; ato janë një shkallë tjetër në spiralen e përshkallëzimit.

Z. Putin mund të ketë pranuar ftesën për në Alaskë, por jo për të negociuar me mirëbesim- ai donte të fitonte kohë. Synimet e tij afatgjata nuk kanë ndryshuar: të rindërtojë perandorinë ruse, të minojë garancitë e sigurisë transatlantike, të ndajë Perëndimin dhe – së fundmi, por sigurisht jo më pak- të dobësojë Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2013, z. Putin shkroi në një ese në këtë gazetë se “duhet të përdorim Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të besojmë se ruajtja e ligjit dhe rendit në botën e sotme komplekse e të trazuar është një nga mënyrat e pakta për të penguar marrëdhëniet ndërkombëtare të rrëshqasin në kaos.” Tingëllon e arsyeshme, apo jo?

Eseja mbante titullin, “Një thirrje për kujdes nga Rusia,” dhe kundërshtonte planet amerikane për të ndërhyrë në Siri kundër regjimit të Presidentit Bashar al-Asad, i cili kishte sulmuar qytetarët e vet me gaz sarin. Brenda një viti, ushtarët rusë do të ishin në Krime dhe Ukrainën lindore, dhe tetë vjet më vonë z. Putin do të niste luftën më vdekjeprurëse në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore, e cila deri tani ka lënë gati 1.5 milionë ushtarë të vrarë ose të plagosur. Asnjë mandat i Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk u dha dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e dënoi sulmin, pa rezultat.

Por është e mundur të negociohet me Rusinë. Thjesht bëjeni në dy faza: fillimisht tregoni forcë, dhe vetëm më pas zhvilloni dialog. Negociatat midis Presidentit Ronald Reagan dhe udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov që ndihmuan në përfundimin e Luftës së Ftohtë nuk mund të kishin ndodhur po të mos kishte shfrytëzuar Reagan më parë dobësitë e BRSS-së duke ushtruar presion të fortë ushtarak dhe ekonomik, përfshirë mbështetjen e grupeve dhe vendeve që sfidonin sovjetikët anembanë botës, si lëvizja polake Solidariteti dhe muxhahedinët afganë. Kjo qasje me dy faza dha rezultat: kur elita e Kremlinit e kuptoi se ishte shumë e dobët për të thyer vendosmërinë e Reagan-it, ajo filloi të negociojë.

Z. Putin ende nuk është në atë pikë. E vetmja mënyrë për ta sjellë në tryezën e negociatave është ta bësh të kuptojë se nuk mund të vrasë për të dalë nga gabimi që bëri më 24 shkurt 2022, kur filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Për ta bërë këtë, është thelbësore të vazhdohet mbështetja financiare dhe ushtarake për Ukrainën dhe të minohen themelet e ekonomisë së luftës së Rusisë. Një fillim i mirë do të ishte që ndjekësit e vetëshpallur të MAGA-s në Hungari dhe Sllovaki të dëgjojnë z. Trump dhe të ndalojnë blerjen e naftës ruse, dhe më në fund të përdoren mbi 200 miliardë dollarët e aseteve ruse të ngrira në Evropë për t’u dhënë ndihmë financiare viktimave të luftës së z. Putin.

Vendi më i madh në tokë nuk ka nevojë për më shumë tokë. Duhet të kujdeset më mirë për atë që tashmë është brenda kufijve të tij të njohur ndërkombëtarisht. Udhëheqja e Rusisë duhet të kuptojë se përpjekja e saj për të rindërtuar perandorinë e fundit të Evropës është e dënuar të dështojë. Epoka e perandorive ka marrë fund.