Volejbollistja braziliane e Dinamos, Nayara Ferreira, ka trazuar sportin shqiptar pasi ankesat e klubeve të Vllaznisë dhe Pogradecit kanë çuar në pezullimin e saj. Federata Shqiptare e Volejbollit ka kërkuar nga klubi i Dinamos një ‘test gjinie’ për 32-vjeçaren.

Ndërkohë, në një reagim të FSHV-së thuhet se FSHV ‘mbetet e angazhuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent në çdo hap, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit’.

Interesant është fakti se në njoftim, Federata e quan volejbollisten ‘zonja (znj)’, duke u munduar mos jetë diskriminuese me një rast shumë delikat për dinjitetin njerëzor.

Njoftimi i plotë i FSHV-së:

Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV)

Në lidhje me informacionet e publikuara në media lidhur me pezullimin e lojtares së ekipit të Dinamos, znj. Nayara Ferreira, Federata Shqiptare e Volejbollit dëshiron të sqarojë se aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar për të ndarë në këtë moment.

FSHV po vepron me kujdes dhe diskrecion, duke respektuar parimet e fair play-it, barazisë në lojë dhe dinjitetit njerëzor. Federata mbetet e angazhuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent në çdo hap, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit.

Për çdo zhvillim të mëtejshëm, publiku dhe media do të informohen përmes kanaleve zyrtare të FSHV-së.

Federata Shqiptare e Volejbollit

Tiranë, 25.10.2025.