Vëllai i vogël është arsyeja e ardhjes së Sidorelës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Qerimi është i vogli i familjes pas tri vajzave dhe vëmendja e të gjithëve ka qenë gjithnjë ai.

Kjo ka bërë që edhe kujdesi e frika për të të jenë të mëdha, sidomos pas një episodi të tmerrshëm për familjen.

Sidorela: Në vitin 2009 ndërtuam një shtëpi, dy kate. Ishte gjëja më e lumtur për ne të arrinim të ndërtonim një shtëpi me forcat tona. Babit i kishte dalë puna për kuzhinë atë ditë. Mami me vëllain ikin të tregtojnë fruta në treg. Kthehen në shtëpi, gjithmonë e bënin këtë gjë që vëllain e përkëdhelnin pak më shumë, domethënë i jepnin monedha, lekë. Atë ditë që kthehen nga tregu, duke numëruar lekët vëllai, ulet në shkallët e katit të dytë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte?

Sidorela: Ishte 8 vjeç asokohe. Duke numëruar lekët, e zë gjumi. Papritur në gjumë, bie nga shkallët e katit të dytë. Ç’të shikonim, Ardit? Ishte një tmerr i vërtetë. E nisëm për spital, faleminderit Zotit që na e ktheu përsëri.

Që i vogël, Rimi, siç e thërrasin me përkëdheli, ëndërronte të bëhej polic. Kjo dëshirë e shoqëroi edhe gjatë rritjes, por babai, i frikësuar dhe i merakosur, nuk e lejoi asnjëherë e ai, nuk dëshironte ta kundërshtonte.

Sidorela: Në momentin që mbaroi shkollën e mesme, foli për ëndrrën e tij që ai të vazhdonte Akademinë e Forcave Speciale.

Ardit Gjebrea: Me ty foli apo me prindërit?

Sidorela: E ndau me ne, gjithashtu edhe me prindërit. Rimi, që i vogël, gjithmonë ua ka dëgjuar fjalën prindërve.

Ardit Gjebrea: Ishte babi dakord që Rimi të vazhdonte për polic?

Sidorela: Këtu ngec pak sepse babi nuk ishte dakord që Rimi të vazhdonte për polic.

Ardit Gjebrea: Pse?

Sidorela: Sepse atij i dukej punë me rrezik dhe me përgjegjësi të madhe.

Ardit Gjebrea: Është edhe një detaj që unë di, që atij i pëlqente rreziku, aksioni dhe donte të ishte në frontin e parë të gjithçkaje që mund të ofronin Forcat Speciale, RENEA apo e kam gabim?

Sidorela: Po, po shumë e vërtetë.

Ardit Gjebrea: Dhe kur babi dëgjoi këtë, tha…

Sidorela: Jo, një djalë të vetëm kam dhe dua të vazhdosh inxhinierinë mekanike.

Ardit Gjebrea: Dhe Rimi?

Sidorela: Vazhdoi për inxhinieri mekanike.

/tvklan.al