Para se Berisha të shpallte se PD-ja dhe aleatët e saj do të mbështesnin kandidaturën e Florjan Binajt (i njohur gjerësisht si “Flori i Portokallisë”), mbizotëronte argumenti aritmetik i gjetjes së një kandidati që do të tërhiqte votat e pjesëmarrësve të 11 majit që nuk votuan për PS-në.

Në fakt PS-ja mori vetëm 49% të votave të pjesëmarrësve në territorin e Bashkisë Tiranë (48.9% saktësisht) – pra argumenti aritmetik dukej bindës në pamje të parë.

Por teksa Florjan Binaj u shpall kandidat nga PD-ja dhe aleatët e saj, Arlind Qori, kryetari i “Lëvizjes Bashkë”, shpalli kandidaturën e tij për kryebashkiak, në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Binajn në segmentin kundër pushtetit.

Ndërsa Tom Doshi, kryetari i PSD-së, nuk duket se ka gjasa ta përkrahë kandidaturën e Binajt. Këto dy parti morën mbi 6% të votave në territorin e Bashkisë Tiranë më 11 maj.

Pra argumenti aritmetik i votave bie qysh në fillim të garës elektorale të Binajt – nga 51% që nuk votuan për PS-në, mbi 6% nuk kanë gjasa të votojnë as për Florin…

Po si mund të jetë kimia politike ndër 45% të pjesëmarrësve tiranas të 11 majit që nuk votuan për “të majtën” (PS+ +PSD+“Lëvizja Bashkë”)?

Disa militantë të thekur të PD-së mund ta kenë të vështirë të mobilizohen për një kandidat të bërë të famshëm nga emisioni “Portokalli”, por mbështetja e fortë për të nga Berisha mund t’i bëjë që ta kapërdijnë këtë ngërç.

Më i vështirë është mobilizimi i votuesve të partive të tjera të vogla.

Ndër partitë e koalicionit PD-ASHM, PL-ja, PR-ja, PAA-ja dhe PDK-ja e kanë përkrahur publikisht kandidaturën e Binajt (PDIU-ja, jo), por mbetet të shihet se sa të mobilizuar do të jenë në terren ata që luftuan për votat e veta personale më 11 maj…

Ndër partitë opozitare jashtë koalicionit të PD-së, “Shqipëria Bëhet” e Lapajt, “Nisma” e Shabanit, “Mundësia” e Shehajt, dhe “Djathtas për Zhvillim” e Shehit-Alibeajt e kanë përkrahur publikisht kandidaturën e Binajt (Euroatlantikët e Bashës, jo), por mbetet të shihet se sa të mobilizuar do të jenë në terren ata që luftuan për votat e veta personale më 11 maj…

Me pak fjalë, Florjan Binaj duhet të ndërthurë artitmetikën e votave me kiminë politike të partive që e mbështesin, për të marrë më shumë se 100 mijë votat që mori Këlliçi më 2023. Sepse përballë ka një mur violet 160 mijë votësh…