Në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, PD-ja (kur kryetar kishte zyrtarisht Bashën) mori 39.5% të votave në rang kombëtar (e ndihmuar edhe nga parti të vogla aleate në koalicion me të, si PR, PDIU, PAA, PBDNJ e PDK). Por LSI-ja atëherë garoi më vete, dhe mori plot 6.8% të votave në rang kombëtar…

Gjatë katër vjetëve qysh prej atyre zgjedhjeve, ku PS-ja mezi siguroi 74 mandate parlamentare (në disa qarqe mandati i fundit u përcaktua nga një grusht votash), shumë tronditje ndodhën brenda PD-së. Përkrahësit e Bashës u përballën edhe fizikisht në godinën e SHQUP-it me ata të Berishës, dhe pas shumë peripecish, ky i fundit mori edhe vulën, edhe selinë e PD-së…

Në zgjedhjet parlamentare të majit 2025, PD-ja e zotëruar plotësisht nga Berisha (juridikisht dhe realisht) mori vetëm 34.3% të votave të këtushme (në votat nga emigracioni doli edhe më keq). Pra, krahasuar me prillin e 2021-shit, PD-ja rrëshkiti 5.1 pikë poshtë, edhe pse koalicionit të saj iu bashkangjit LSI-ja (përveç partive të vogla aleate të saj të mëparshme).

Në sondazhet “Zëri i Shqiptarëve” që kam zhvilluar muajt e fundit për ABC NEWS, rrëshkitja e kuotave të PD-së ka vazhduar me ritme alarmante. Kështu, në sondazhin e 26 tetorit, vetëm 28.1% e pjesëmarrësve të zgjedhjeve të 11 majit të sivjetshëm kishin opinion pozitiv për PD-në e Berishës. Një rënie prej 6.2 pikësh për pesë muaj, dhe prej 11.4 pikësh për katër vjet e gjysëm!

250 fjalët e mësipërme mund t’i shihni të përmbledhura në grafikun e mëposhtëm.