Ekonomia shqiptare do të ketë një rritje të qëndrueshme përgjatë vitit 2025 duke arritur në nivelin 3.7%.Banka Botërore ka rishikuar me rritje projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë me 0.5% për këtë vit. Megjithatë sipas Bankës Botërore , një zbatim më i shpejtë i reformave të mbështetura nga BE-ja mund të përshpejtojë ritmin e rritjes së të ardhurave për frymë deri në 3.1 për qind mbi skenarin bazë si edhe konvergjencën me standardet e jetesës së BE-së.
Pavarësisht një ngadalësimi të rritjes së turizmit, sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit ishin nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike në anën e ofertës, duke kompensuar rëniet në sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë të industrisë.
Në raport theksohet se kushtet e tregut të punës u përmirësuan, papunësia u ul dhe punësimi u rrit. Rritja e punësimit në sektorin e shërbimeve kompensoi humbjet e vendeve të punës në bujqësi në tremujorin e parë të vitit 2025, duke e ulur shkallën e papunësisë në 8,7 për qind dhe duke e rritur shkallën e punësimit (mosha 15—64 vjeç) në 69,5 për qind si për burrat ashtu edhe për gratë. Pavarësisht presioneve inflacioniste nga rritja e pagave, inflacioni mesatar gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025 mbeti i ulët në 2,2%, i mbështetur nga forcimi i lekut dhe ngadalësimi i inflacionit në Eurozonë.
Inflacioni qëndroi nën nivelin 3 për qind, varfëria ra si rezultat i forcimit të tregjeve të punës dhe borxhi publik vijoi tendencën rënëse. Megjithëse rreziqet e jashtme mbeten të pranishme, progresi në procesin e anëtarësimit në BE ka gjasa të mbështesë besimin e investitorëve, vazhdimësinë e politikave dhe rritjen afatgjatë.
Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet ndjeshëm në dy vitet e ardhshme, teksa rajoni nis të rimëkëmbet nga pasojat e pasigurisë globale dhe të inflacionit të lartë. Sipas Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, rritja e qëndrueshme do të varet mbi të gjitha nga krijimi i vendeve cilësore të punës dhe përfshirja më e gjerë e fuqisë punëtore, veçanërisht e grave dhe të rinjve.