Të dielën pasdite, në orën 16:15, do të nisë të luhet “El Clásico”, “nëna e të gjitha ndeshjeve”, që ndez Spanjën dhe gjithë botën e futbollit. Këtë herë përballja ka një specifikë të veçantë: Real Madridi kryeson La Liga-n me vetëm 2 pikë më shumë se Barcelona.

Ndeshja mbërrin në një moment të veçantë për “Los Blancos”, që kanë zgjedhur një rrugë të re. Pas largimit të Ancelottit drejt Brazilit, ptresidenti Pérez ia ka besuar drejtimin Xabi Alonsos, një trajner me identitet të qartë taktik, ndryshe nga tradita e paraardhësve si Del Bosque, Zidane apo Ancelotti, të cilët mbështeteshin më shumë tek individualitetet e yjeve.

Alonso po përpiqet të fusë në “Casa Blanca” një filozofi kolektive, që bashkon konceptet pozicionale dhe relacionale, duke alternuar lojtarët “fiks” në zona të caktuara me të tjerë më të lirë, për të kërkuar kombinime në mesfushë. Gjithashtu, ai ka shtuar presingun dhe riagresionin, elemente të rralla në Realin tradicional.

Pavarësisht disa humbjeve të rënda (4-0 ndaj PSG dhe 5-2 në derbi me Atletico), Real Madridi mbetet në krye të La Liga-s dhe Champions-it. Me një skuadër plot yje; Valverde, Bellingham, Vinicius, Rodrygo, Mbappé, rotacioni është luks, jo rrezik. Sfida me Hansi Flick do të tregojë sa thellë ka arritur Xabi Alonso ta transformojë ADN-në e Realit, në një duel të futbollit spektakolar dhe të rafinuar taktikisht.