Gara ndërkombëtare për Parkun e besimit (Faith Park), hapësirën e re unikale që do t’i shtohet kryeqytetit, përzgjodhi 12 ekipe finaliste me arkitektët më prestigjiozë në botë nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia, të cilët gjatë ditës së sotme do të paraqesin propozimet e projekteve të tyre, përpara një jurie ndërkombëtare.

Kryeministri Rama, i cili ishte i pranishëm në eventin prezantues tha se Parku i Besimit është frymëzuar nga vlerat e Shkrimeve të Shenjta, të harmonisë fetare dhe bashkëjetesës, virtyte të trashëguara ndër breza. “Parku i Besimit, nuk është simbol i fesë – krejt tjetër – është një faltore adhurimi që nuk bën pyetje se në çfarë besoni, vetëm ju fton të vini dhe të mrekulloheni tek qëndresa e heshtur e pemëve të fikut, të vini re formën e pemëve të ullirit në erë dhe të kuptoni atë çfarë kuptuan paraardhësit tanë që zhvillimi nuk ishte thjeshtë një sfond, ishte në fakt Shkrim i Shenjtë.” – përshkroi Kryeministri, – teksa vijoi më tej se “Ky park nuk është aspak një muze besimi, është një skripturë e gjallë që nuk shkruhet me bojë, por me rrënjë, jo me doktrina, por me hije , pemë, tokë, një hapësirë që heshtja nuk është mungesa e zërit, por prania e vëmendjes. Është një park që ngërthen besime, përkatësi.”

Konkursi ndërkombëtar për projektimin e masterplanit synon gjenerimin e një koncepti të ri të “bashkësisë” dhe “strehimit”.

Parku do të ofrojë hapësira për pushim dhe ndërveprim për grupe, kombësi dhe besime të ndryshme, dhe do të shërbejë si një vend për ngjarjet që festojnë këto komunitete. Duke venë në qendër vlerën e bashkëjetesës, ky projekt do të krijojë një dinamikë të re hapësinore në kryeqytet, simbolikë e paqes, qëndrueshmërisë dhe unitetit të popullit shqiptar, në të gjitha besimet e tij.