Tetori rozë është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen në zbulimin e hershëm dhe trajtimin në kohë të kësaj diagnoze.

Përpara tri vitesh, jeta e Uljanova Çalit ishte normale, mes ritmit të punës dhe përditshmërisë në dyqanin e saj, angazhimeve në familje, djalit dhe bashkëshortit.

Por, mjaftoi një vetëkontroll i gjirit për të zbuluar një masë të ngurtë dhe ndryshim të strukturës së gjoksit, që nuk e kishte hasur më parë. Instinkti i brendshëm ishte shtysa e parë që Uljanova të mos e neglizhonte një konsultë me mjekun onkolog.

Ajo thotë për ATSH-në, se konfirmimi i diagnozës erdhi pas këtyre shqetësimeve të vogla që kuptoi në një pjesë të gjoksit të saj.

“Kur dëgjova fjalën kancer, koha u ndal! Ishte një tronditje që nuk di ta shpjegoj. Sëmundjet e këqija nuk japin simptoma të rënda, por shenja. Pata një ndryshim në strukturën e gjirit, një forcim që nuk më kishte ndodhur më parë. Diagnoza u konfirmua, kisha një gjëndër tumorale në gjoks”, tha Çali.

52-vjeçara u shpreh se dhimbja më e madhe për të, ishte konfirmimi i diagnozës së kancerit të gjirit plot tri vite më parë, gjë të cilën e cilëson si një ndjesi shumë të rëndë.

“Kontaktet e para i vendosa me mjekun onkolog Nurian Ohri. Unë hoqa masën tumorale, por mjeku vlerësoi gjendjen time shëndetësore dhe stadin e sëmundjes që nuk kishte nevojë për kimioterapi shtesë apo rreze”, tha ajo.

“Ka pasur momente shumë të errëta, por e mbajta veten, për jetën time, për familjen time, këto ishin forca që më ringritën”, vijoi Çali.

Uljanova u shpreh se nuk e konsideron veten plotësisht të shëruar, pasi sipas protokolleve mjekësore për pacientët që janë prekur një herë nga kanceri i gjirit, çdo gjashtë muaj ajo duhet t’i nënshtrohet kontrolleve.

“E kuruar tërësisht nuk jam sepse si rregull, pasi bëhet operacioni si në rastin tim ku unë hoqa masën tumorale, çdo gjashtë muaj për pesë vjet rresht duhet të jem nën kontrollin e mjekëve”, tha Çali.

Duke marrë shkas edhe nga muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Uljanova ka një thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat që të bëjnë kontrolle të shpeshta për ta kapur në kohë diagnozën.

“Frika nuk e ndal diagnozën, por kontrolli i hershëm mund ta ndalë përhapjen! Kujdesi për veten është dashuri”, pohoi ajo.

Uljanova u shpreh se jeta e saj ka ndryshuar katërcipërisht, pas diagnozës së kancerit të gjirit, gjë që i ka ndryshuar edhe vlerësimin për gjërat në jetë.

“Më ka dhënë të kuptojë që nuk duhet t’i japë rëndësi gjërave të vogla që nuk kanë vlerë, nuk duhet të humb kohë me njerëz që më lodhin, dua të takoj individë me energji pozitive, që më mbushin jetën sepse mua më ka kaluar jeta përpara syve”, tha Çali.

Në fund, Uljanova ka një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat, që jo vetëm gjatë tetorit, por në çdo periudhë të vitit, t’i drejtohen mjekut në dyshimin më të vogël që mund të shohin në lidhje me gjoksin e tyre.

“Diagnostikimi i hershëm, shpëton jetë”, përfundoi Çali.