Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku u diskutua strategjia e opozitës për javën e ardhshme në Kuvend, nuk kanë munguar edhe notat e kritikës nga brenda kampit blu. Numri dy i PD-së, Flamur Noka, është shprehur me tone kritike ndaj disa kolegëve të tij deputetë, duke iu kujtuar se opozita nuk është vend për shfaqje luksi.
Sipas burimeve brenda mbledhjes, Noka ka deklaruar se deputetët e opozitës duhet të mbajnë qëndrime të forta dhe të mos i nënshtrohen rregullave që, sipas tij, po tenton të imponojë mazhoranca.
“Miq, ne jemi deputetë të opozitës dhe opozita ka disa të drejta që nuk i lëshojmë kurrë. Një rregull që vepron prej 35 vitesh në Parlament nuk mund të na diktojë Niko Peleshi e Taulant Balla ndryshe tani. Ne jemi në Kuvend për betejë, jo për nënshtrim,” – mësohet të ketë thënë Noka.
Duke vijuar, Noka ka shtuar:
“Kushdo që mendon se është në Kuvend për të ardhur me kostum 5000 euro apo kollare 2000 euro dhe për të bërë foto në foltore, asnjë lidhje nuk ka me nevojën që kanë qytetarët për përballje, për rezistencë, për betejë.”
Noka theksoi se Partia Demokratike nuk kërkon asgjë më shumë sesa ushtrimin e të drejtave që i takojnë opozitës dhe se çdo tentativë për ta “butësuar” opozitarizmin, sipas tij, është e papranueshme.
“Të drejtat tona do t’i mbrojmë. Nuk nënshtrohemi. Kush ka frikë nga përballja, le të vazhdojë, por kjo s’ka lidhje me opozitarizmin,” – përfundoi ai.




















