Sot është mbajtur dita e dytë e forumit të investimeve BE-Ballkani Perëndimor.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në forum, u shpreh se inteligjenca na ndihmon që të kapim majat, ndërsa theksoi se janë hapur dyert për të gjithë inovatorët. Po ashtu nuk munguan batutat e kreut të qeverisë me të rinjtë, ku tha se ‘e keqja e të qendurit në pozicionin tim është që të japin merita që nuk i kam’.

Fjala e plotë e Ramës:

! Tani e mira dhe e keqja e të qenit në pozicionin tim është që të japin merita që nuk i ke dhe jo për modesti, por për ta zbutur pak atë flakën e entuziazmit të Senides që është një shoqe shumë e mirë, një njeri shumë pasionant, kemi punuar bashkë nga afër, dua të theksoj që kjo e sotmja është puna e disa njerëzve të tjerë, natyrisht unë kam bërë pjesën time, por më duhet të vlerësoj në mënyrë shumë të posaçme Seniden vetë, jo për t’i kthyer atë fjalën e mirë por sepse realisht se prania ime sot këtu është rezultat i kërcënimit direkt që i bëri Senida zyrës time duke abuzuar me lidhjen e vjetër që ka me asistentet e mia edhe të cilat më thanë që atje duhet të shkosh patjetër sepse Senida ka thënë kështu, kështu. Tani se çfarë ka thënë unë nuk ua u them juve.

Ndërkohë që dua të falënderoj po ashtu edhe Delinën për punën e saj pasiononte në raport me këtë botën e vogël, por shumë të madhe të inovacionit dhe të njerëzve që merren me inovacion. Është një përpjekje që Delina e ka nisur si ministre e Sipërmarrjes dhe që tani sigurisht do ta vazhdojë dhe do ta çojë më tutje si ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe sigurisht dua të falënderoj Linda Karçanajn, drejtoren e AKSHI-t që është edhe si të thuash flamuri i kësaj përpjekjeje, një përpjekje që ka nisur me flamurin të vendosur në një varkë të vogël që ishte AKSHI i asaj kohe dhe që tani është bërë një anije e cila vërtetë na nderon, por edhe na motivon dhe na frymëzon pasi shohim sesa shumë mund të bëjmë akoma.

Nuk dua t’ju lodh me një fjalë të gjatë, as do të marr kohën tuaj për t’ju treguar sesa shumë suksese kemi arritur duke lexuar gjithë këtë fjalimin që kam këtu, por dua t’ju them që ne kemi rënë dakord brenda nesh të çojmë përpara procesin duke hapur dyert e qeverisë për të gjithë inovatorët dhe duke krijuar një hapësirë të përbashkët me bërthamë agjencinë e ekselencës që ne e kemi krijuar para pak kohe dhe që të cilën do ta vëmë në dispozicionin tuaj dhe të gjithë inovatorëve.

Kjo do të thotë që duam që startup-et, inovatorët të kenë mundësi të aksesojnë institucionet dhe duke aksesuar institucionet të kenë mundësi të shohin nga afër problematikat, por dhe të shfrytëzojnë të dhënat e tyre, të shfrytëzojnë statistikat e tyre, të shfrytëzojnë të gjithë atë brumë që pastaj është baza e zgjidhjeve përmes inteligjencës artificiale dhe të krijimit të modeleve të inteligjencës artificiale.
Tani, besoj që duke bërë këtë do të ndodhë ajo që ndodhë gjithmonë me këtë sektor, me këtë fushë, me këtë botë që do mësojmë shumë gjëra të reja nga njëri-tjetri dhe që do prodhojmë produkte të reja.

Ne kemi sfidën të krijojmë një akselerator shumë të fuqishëm në mbështetje të ministres sonë të inteligjencës artificiale që është vet inteligjencë artificiale dhe natyrisht që ky akselerator do të bazohet tek ju, tek kapitali njerëzor që ne kemi brenda AKSHI-t apo brenda agjencisë së ekselencës dhe me këtë sinergji do të mundohemi që çdo njërit nga institucioneve qendrore t’i zgjerojmë trurin me inteligjencën artificiale. Ky është plani.

Ndërkohe që këtu më thanë që janë 161 ide të paraqitura. Është bërë një seleksionim paraprak. Do vazhdojë një garë tjetër në dijeninë time dhe në ndërkohë njëri do të shpërblehet me një vajtje në Finlandë për të marrë pjesë atje në një nga ato betejat që zhvilloni ju me “mullinjtë e erës”.

Nuk di çfarë të shtoj më shumë për të mos ju marr kohën se kam shumë gjëra për të thënë, por di që kam shumë shumë besim, kam shumë më tepër besim sesa ç’mund të mendoni ju sesa ç’mund të duket dhe një gjë është e sigurt, kam më shumë besim se gjithë të tjerët që ju mund të takoni, që nuk janë pjesë e botes tuaj, tek bota juaj dhe tek ju.

Është një bekim i madh për ne që jetojmë në këtë kohë kur teknologjia digjitale dhe tani dhe inteligjenca artificiale na japin një mundësi pa të cilën ne nuk do mund të ëndërronim që të kapnim majat sepse do duhet t’i nënshtroheshim progresit linear të zhvillimit i cili impononte gjithmonë që vendet më pak të zhvilluara ose vendet në zhvillim të mbeteshin gjithmonë mbrapa atyre të zhvilluara sepse çdo gjë e re që zhvillimi sillte, i takonte në radhë të parë atyre dhe pastaj vinte deri tek ne. Ose e thënë ndryshe nëse dilte një makinë shkrimi e re apo një kompjuter i ri do ta merrnin një herë ata dhe pastaj kur të vinte deri tek ne atje do kishte dalë makina e re e shkrimit apo kompjuteri i ri. Ndërkohë që sot është krejt ndryshe. Madje duke qenë se burokracia jonë, se strukturat tona nuk janë aq solide dhe aq të sofistikuara dhe aq të rënda sa po themi në vende të zhvilluara si Gjermania apo Franca atëherë bëhet më e lehtë që ne t’i drejtohemi këtyre zgjidhjeve për të bërë kapërcime dhe për të kaluar në faza të reja të zhvillimit dhe natyrisht duke qenë se këtu në këtë pikë fokusohet edhe ambicia për zhvillime befasuese, atëherë kjo iu bën të gjithëve ju jashtëzakonisht të rëndësishëm. Një kapital strategjik njerëzor për vendin tonë.

Ju falënderoj shumë për të gjithë përpjekjen që keni bërë deri tanimë dhe besoj që jo vetëm nuk do t’iu mungojë vëmendja, por ne nuk do të kursejmë mbështetjen për të gjithë inovatorët me të gjitha mundësitë që kemi dhe ndërkohë mezi pres që ministrja të organizojë kuvendin e parë ose më saktë sesionin e parë të kuvendit që kemi rënë dakord me ju të ngremë dhe ta mbledhim një herë në katër muaj për të diskutuar për: Çfarë po bëjmë? Çfarë mund të bëjmë? Dhe për të analizuar së bashku e për të ëndërruar së bashku. Shumë faleminderit!