Forumi i Parë i Investimeve BE – Ballkani Perëndimor nisi punimet në Tiranë dhe synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit midis vendeve të rajonit dhe shteteve anëtare të unionit.
Në fjalën e saj, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, vlerësoi nga Tirana se forumi është një shtysë tjetër për zhvillimin ekonomik të rajonit, ndërsa zbuloi se KE po planifikon ngritjen e fabrikave me inteligjencë artificiale në Ballkanin Perëndimor.
“Çfarë e bën kaq të veçantë këtë forum? Nuk është vetëm madhësia e investimeve që po shpallim. Me këto projekte po e sjellim Ballkanin Perëndimor brenda politikës tonë industriale të BE.
Po çelim disa prej iniciativave thelbësore ekonomike tonat për ju dhe dua të flas për inteligjencën artificiale, dua të flas dhe për integrimin e industrive tuaja në tregun tonë të përbashkët, ndaj sot po përçojmë një sinjal të qartë sektorit të biznesit. Po ngremë një rrjet fabrikash të AI në mbarë Evropën dhe ne do të hapim fabrikat tona të AI në Ballkanin Perëndimor.
Do ta nisim me ngritjen e dy fabrikave në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi dhe do ta shtrijmë këtë shtyllë kurrizore digjitale me shpejtësi të lartë në të gjithë rajonin dhe kjo do të lejojë të gjitha kompanitë në të gjashta vendet partnere në të gjithë rajonin, të lidhen me këto fabrika, që do të thotë, fabrikat tuaja do të kenë mundësi t’i qasen infrastrukturës së inteligjencës artificiale evropiane këtu, në rajon.
Me fjalë të tjera fuqia kompjuterike e Unionit do të jetë në shërbimin tuaj, ashtu siç dua që të bëhet e ardhmja e AI, pra të bëhet në Evropë, ashtu dua që edhe Ballkani Perëndimor të jetë në zemër të saj”, tha Presidentja e KE.
Forumi që po mbahet në Tiranë inkurajon dialogun midis investitorëve të rëndësishëm, liderëve politikë dhe udhëheqësve të biznesit, duke vënë theksin te fuqia e investimeve strategjike në transformimin ekonomik të vendeve.