Partia Demokratike ka mbledhur Kryesinë për të diskutuar për kandidatin që do të përzgjedhë në zgjedhjet e parakohshme të Bashkisë së Tiranës më 9 nëntor.
Në nisje të mbledhjes, kryedemokrati Sali Berisha, tha se PD duhet të gjejë një figurë tjetër jo brenda radhëve të veta, pasi në këtë mënyrë ka më shumë shanse për fitore.
Sali Berisha e pranoi hapur se përzgjedhja e një kandidati të një profili dhe modeli tjetër ndryshe nga ai i figurave të PD-së, do të mblidhte më shumë vota, por kjo është edhe një kërkesë, sipas tij, e një target-grupi votuesish.
Për negociatat me partitë aleate përmes grupit të punës që angazhoi, Sali Berisha u shpreh se qëllimi ishte të eksplorohej modeli dhe jo të gjendej kandidati.
“Për Tiranën unë ngrita një delegacion për të eksploruar, jo kandidatët, por për të eksploruar modelin. A mund të gjenim një model ku të ishim të gjithë të bashkuar si opozitë. Shanset, nëse e mbështet gjithë opozita, të jenë më të mëdha.
Ne kemi kandidatura shumë të mira, kanë shfaqur dëshirën e tyre publikisht, Adriana Kalaja, Klevis, Edi Paloka. Kështu që përpjekja jonë për të arritur në një ujdi të gjerë me forca të tjera opozitare nuk ka asnjë lidhje me problemin e kandidatëve tanë të shkëlqyer, por ka lidhje me rekordin elektoral, tërësinë e votave si opozitë dhe kjo nuk mund të injorohet. Ka lidhje dhe me një moment të dytë. Qindra mijëra militantë do donin të kishin kandidat ndonjë prej jush, por të tjerë do donin të kishte një kandidat jashtë nesh, me qëllimin jo negativ, por që të jemi sa më afër fitores, sa më të votueshëm. Njerëz që mendojnë se dalja jashtë modelit strikt partiak, aplikimi i një modeli tjetër nga PD, është përfillje më e madhe për elektoratin dhe ka shanse më të mëdha. Nuk janë bërë diskutime për kandidatura nga përfaqësuesit tanë, por për modelin që do të bashkonte më shumë spektrin opozitar në kandidaturën e Tiranës. Unë ju them që asnjë takim nuk është bërë për kandidaturat”.