Anëtari i djathtë i Këshillit Bashkiak të Vlorës, Gjergji Nika, ka reaguar ndaj mënyrës si është përzgjedhur kandidatura e opozitës për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në këtë bashki, duke kritikuar qasjen e Sali Berishës dhe strukturave të PD-së.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nika duke iu referuar mbështetjes së Partisë Demokratike për Dionis Sotën si kandidat të pavarur, shprehet se një strategji e tillë nuk e zhvendos përgjegjësinë politike nga drejtuesit e opozitës.
Më tej, ai shton se qyteti i Vlorës ka nevojë për një kandidat të vërtetë dhe jo për emra që “janë dhuratë për pushtetin”.
Reagimi i plotë:
Rrënimi i Partisë Demokratike
Gjergji Nika
Nuk është e lehtë, madje është e dhimbshme të shohësh qytetin tënd të rrëshqasë nga një periudhë ku kandidaturat kishin qytetari, peshë, integritet, pasion dhe vizion, në një realitet ku gjithçka është kthyer në një lojë interesash, tallje dhe degradim moral.
Vlora ka pasur njerëz që kanë kontribuar me vlera të qarta qytetare dhe politike, por ndër vite, përfaqësimi lokal është dobësuar ndjeshëm.
Kryetarët dhe kandidatët për Bashkinë Vlorë ndër vite:
1992 – Kryetar: Elham Sharra
1996 – Kryetar: Gezim Zilja
1997 – Kryetar i komanduar: Agron Shehu
1999 – Esat Hasani
2003 – Kristaq Bisholla
2007 – Kreshnik Alimerko
2011 – Ardian Kollozi
2015 – Genc Deromemaj
2019 – Opozita nuk mori pjesë – asnjë kandidat
2023 – Hysni Sharra
2025 – (09 Nëntor) – Zgjedhje të parakohshme – kandidati?…. No comment
Kjo listë tregon qartë degradimin e procesit politik në qytet: nga gara reale dhe përfaqësim i peshës politike, në periudha ku mungon alternativa e vërtetë.
Kandidati i opozitës në Vlorë për zgjedhjet e pjesshme duhet të kishte peshë reale politike dhe kontribute qytetare të prekshme, jo produkt kompromisesh, eksperimenteve apo mungesë emrash apo alternativash.
Mbështetja e opozitës për kandidatë “jashtë politikës” nuk e zhvendos përgjegjësinë politike, sepse drejtimi i qytetit është përgjegjësi politike dhe institucionale.
Sot, në vend të pasionit dhe vlerave, kemi vetëm interes dhe degradim moral.
Kandidatura me integritet nuk është luks moral, por kusht minimal për përfaqësim real.
Por integriteti nuk është slogan. Nuk ka nevojë për deklarime, sepse njerëzit me integritet njihen nga jeta e tyre, nga mënyra si kanë jetuar e punuar, nga aftësia për të thënë “Jo”. Një njeri që ka heshtur përballë padrejtësisë, që ka përfituar nga pushteti apo që ka ndryshuar qëndrime sipas erës politike, nuk mund të bëhet papritur simbol i moralit publik.
Vlora ka nevojë për një kthesë të vërtetë, për njerëz me integritet, vizion dhe lidhje reale me qytetin.
Vlora nuk ka nevojë për kandidatë të opozitës dhe që janë dhuratë për pushtetin!