Gjatë diskutimeve në Kuvend, pas raportimit të Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, deputeti socialist tha se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja tregoi përceptimin e publikut për sistemin e drejtësisë, pasi në rrjetet sociale pati një lumë komentesh inkurajuese për vrasësin.
“Kjo ngjarje e rëndë u dënua me forcë nga të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare, por me trishtim u vu re një ekzaltim nga një pjesë e mirë e shoqërisë, e shprehur në komentet publike dhe rrjete sociale, ku krimi glorifikohej. Është kambanë alarmi, sepse besimi te drejtësia është akoma më i ulët. Kjo bëhet edhe më domethënëse pas euforisë dhe entuziazmit që ringjalli reforma në drejtësi 9 vite më pare”,- tha Gjiknuri.
Gjinkuri komentoi edhe punën e Prokurorisë së Posaçme, që sipas deputetit socialist është treguar e paanshme në goditjen e korrupsionit, në të gjitha nivelet.
“Nuk mund të lë pa përmendur rolin e SPAK, një institucion që po konsolidohet çdo ditë e më shumë. Fakti që kemi goditje të shumta të grupeve kriminale, me shtrirje ndërkombëtare, është tregues. SPAK është bërë kryefjala e luftës kundër korrupsionit, duke goditur në çdo nivel”,- tha Gjinkuri.




















