Nga Desada Metaj
Mësohet se në Gjykatën Kushtetuese është zhvilluar mbledhja e gjyqtarëve, ku çështja kryesore dhe prioritare në rend të ditës ka qenë kërkesa e Erion Veliajt për pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës, që caktoi 9 nëntorin si datë për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Një nga anëtarët e Gjykatës, që foli në anonimat, tha se çështja po shqyrtohet me prioritet dhe se në mbledhje ka pasur debate. “Më shumë sesa për emrat, çështja lidhet me zbatimin e Kushtetutës”, tha burimi. Në këtë fazë nuk është arritur ende një vendim, por pritet që mbledhja e radhës të zhvillohet brenda një kohe të shkurtër.
Përtej interesit gazetaresk mbi ecurinë e kësaj çështjeje — e cila, jo për natyrën e saj, por për peshën e rrethanave që kanë ndodhur këto ditë — ajo që do të vendosë Gjykata Kushtetuese, tejkalon fatin e një kryebashkiaku. Siç kanë rrjedhur ngjarjet, kjo çështje përfshin në thelb ekzistencën e shtetit të shqiptar si rend kushtetues.
Ngjarja tragjike e vrasjes së gjyqtarit të Apelit është një shenjë e dhimbshme, pas së cilës nuk duhen më prova: integriteti i vetë shtetit është vënë seriozisht në pikëpyetje. Depresioni kolektiv që ka kapluar shoqërinë, apo pasthirrmat emocionale të një pjese të publikut që në rrjete sociale janë bërë palë me vrasësin, janë një sinjal alarmi i kobshëm për shoqërinë tonë.
Kjo klimë u parapri nga lëvizjet brutale të Kryeministrit, i cili, me nxitim dhe në kundërshtim me traditën kushtetuese e ligjore, shkarkoi “me duart e Këshillit Bashkiak” kryetarin e Bashkisë së Tiranës, duke i mohuar atij të drejtat më elementare për t’u dëgjuar. Dhe, si të mos mjaftonte kjo, në kundërshtim flagrant me rastet e mëparshme kur janë shkarkuar përfaqësues të pushtetit vendor, çështja duhej të ishte pezulluar derisa Gjykata Kushtetuese të shprehej. Vetëm më pas duhej vijuar me hapat e tjerë.
Në vend të kësaj, Presidenti i Republikës — që duhej të ishte diga e parë kundër arrogancës së pushtetit dhe katalizator i paqes sociale — zgjodhi të hidhej në të njëjtën rrjedhë politike, duke dekretuar me ngut datën e zgjedhjeve, ashtu siç e kërkoi Kryeministri, duke sakrifikuar Kushtetutën pa asnjë brejtje minimale ndërgjegjjeje.
Zgjedhje këto, për të cilat askush nuk ka më dyshime se rezultati është i paracaktuar.
Me një opozitë të dorëzuar e të përhumbur në flirtet e vogla me pushtetin, vetëm për mbijetesën e “sh.p.k.”-ve respektive, shqiptarët janë më të vetmuar se kurrë. Jetimë politikë, të rrethuar nga një hipokrizi e përgjithshme që synon t’i mbajë në letargji sociale.
Ndaj sot, si asnjëherë më parë në këto 30 vjet, ekziston një nevojë ulëritëse që dikush t’i dalë zot kushtetutshmërisë së vendit. Dhe kjo detyrë i ka ngelur në dorë Gjykatës Kushtetuese.
Ajo është thirrur sot jo për të gjykuar fatin e një kryebashkiaku të shkarkuar, por politikisht të ekzekutuar nga të vetët. Jo për të mbrojtur thjesht autonominë e pushtetit vendor, si shenjë e demokracisë liberale. Jo për të “shpëtuar ushtarin e mirë Bajram”, por për të mbrojtur edhe vetë ekzistencën e saj si institucion.
Gjykata Kushtetuese është thirrur për të treguar nëse ekziston ende si mekanizëm që kufizon pushtetin e pakufizuar të Kryeministrit, nënshtrimin e Presidentit, hipokrizinë e opozitës dhe çmendurinë e një pjese të publikut. Dhe këto janë arsyet pse kjo çështje merr rëndësi kardinale.
Hipokrizia e politikës, pas ngjarjes së ekzekutimit të shtetit dy ditë më parë, që shkëputet vetëm për pak minuta nga zdërhallja me pushtetin për t’u dukur si e mallëngjyer dhe reflektuese, do të zgjasë vetëm tri ditë. Ekzekutimi i Kushtetutës bëhet njëherë e përgjithmonë, pa apelim. Gjykata Kushtetuese ka sot mundësinë për të mos e lejuar atë.
E kaluara e kësaj gjykate nuk ka qenë inkurajuese: rrëmuja me çështjet e mandateve, vendimet që kanë lidhje me luftën e SPAK-ut me grupet korruptive kriminale, duken si belbëzime të ndrojtura. Shumë vendime të tjera që prekin qoftë edhe tangent qeverinë janë jo vetëm të ndrojtura e të paqarta, por ndonjëherë edhe pa kuptim. Këto e kanë zhytur edhe vetë Gjykatën në moçalin institucional ku qeveria e ka futur shtetin.
Megjithatë, koha dhe rasti ia sollën ndoshta për herë të fundit mundësinë për të mbrojtur sistemin kushtetues të shqiptarëve. Është e ditur tashmë se mbi gjyqtarët ushtrohet presion, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita, nga publiku dhe media, por ata vetë kanë zgjedhur të jenë aty. Tani u takon atyre të dalin përballë plumbit të marrëzisë sociale dhe politike që ka kapluar vendin.
Nëse kjo çështje mbulohet me terr informativ, ky është një ogur i keq. U takon të shprehen shpejt dhe qartë, pa u fshehur pas labirinteve procedurale dhe vendimeve pa guxim.
Në test është vetë ekzistenca e tyre.
Kanë rastin e jetës për të rikuperuar autoritetin e gërryer — dhe nëse nuk e bëjnë, atëherë e udhës është të largohen. Me turp historik.