Nga Alba Malltezi

Pas librit “E lirë”, Lea Ypi ka bërë një tjetër dhuratë të çmuar për lexuesin shqiptar. “Të poshtëruar” është një roman që duhet lexuar avash, rilexuar, dhe nga i cili duhet kuptuar diçka për shoqërinë tonë sot dhe për atë që ishim dikur. Eshtë një mundësi e rrallë për vitet ku jetojmë që një shqiptare si ne, e veshur me distancën e emigrimit, studimit dhe perfeksionimit të mendimit në shoqërinë e lirë perëndimore, përmes dhimbjes, kërkimeve, hulumtimit të historisë së gjyshes, gjyshit të saj, na vendos një pasqyrë sociale shumë interesante. Por pyetja e parë që duhet t’i bëjmë vetes është: A duam të dimë ne? A duam të njohim veten në vitet e totalitarizmit dhe pak vite më parë që sollën instalimin e egër të tij? Po tani? A jemi të interesuar të shohim se si jemi, tani?

Është e çuditëshme se kjo pyetje gjen një përgjigje absurde, që ne duam të dimë shumë pak. Është interesante se si në një vend kaq të vogël, si i yni, me një zhvillim totalitar dhe hermetik të jashtëzakonshëm, kurioziteti se si ishim, çfarë ndodhi dhe si qëndruam për 45 vite në një kafaz të izoluar nga bota, nuk e ka një dëshirë të madhe për të zbuluar. Ose më mirë, vazhdojnë ende të jenë në jetë disa që bëjnë çmos të dekurajojnë ata shqiparë të lirë, të dëshiruar të hapin e të shpalosin arkivat, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër jemi ne që kemi frikë të njohim, të dimë. Siç në të vërtetë, nga kjo frikë, u pushtua edhe Lea Ypi. Që Lea të niste kërkimet pranë Autoritetit të Dosjeve në Tiranë, u bë shkak urrejtja tipike në social mediat e sotme nën një foto të muajit të mjaltit të gjyshes dhe gjyshit të saj në Cortina, publikuar nga një i panjohur që, mesa duket, arkivet i kishte hulumtuar kohë më parë.

Romani dhe historia e gjyshes Leman dhe gjyshit Asllan Ypi, në 406 faqet, na ndezin një abazhur në kohët më të errëta të shoqërisë sonë: Atëherë kur nazistë e fashistë lëviznin nga këto anë dhe kur një Enver Hoxha, një Taras që që ndodhej në Tiranë pas historive me hedhje nga ballkonet e shtëpive në Paris për të mos paguar qiranë, pagesa nga të moshuara franceze për shoqërime dhe narcizizim të thellë, kishte veshur “pallton” e komunistit alla shqiptar. Si do të shkonte ndryshe jeta e 18 vjeçares Leman nëse, në vend që të vendoste të ikte nga prindërit e saj që jetonin në Selanik e të vendosej në vitet ’30 në kryeqytetin shqiptar, të kishte vazhduar të qëndronte në Greqi, apo të shkonte si Lea në Itali, apo në Francë? Nga sa Lea Ypi zbulon, gjyshja e saj, me gjithë jetën e vështirë, internimin, përndjekjen, me gjithë gabimet alla shqiptare që vetëm një arkiv alla komunist mund të qëllojë të fshehë (edhe spiunët e sigurimsat bënin sikur punonin, shpifnin, sajonin dhe gabonin), nuk rrëzoi atë që jetoi dhe ishte e bindur se kishte bërë gjënë e duhur. Atë që duhej bërë. Janë faqe të një letërsie që na dhurojnë bukurinë e njjë jete të ndërgjegjshme, pavarësisht se si ajo rrjedh dhe shkon.

Edhe para se të lexoja librin e Lea Ypit, përherë në mendje më vinte historia e gjyshit tim nga babai, Abdullah Malltezi, ndërsa në dorë kam foton e tij të gërryer nga koha, me një grup shokësh dhe me Qemal Stafën në Shijak. Janë tetë të rinj idealistë, të veshur bukur, ndryshe nga ajo që mund të imagjinohet sot për Shijakun e rrumave dhe vilave me drogën e Zvicrës, dhe pas fotos shkruhet: “Shtëpia e Ali Dashit Shijak me Qemal Stafën, 1942”. Gjyshi im, Abdullah Malltezi është i pari sipër nga e djathta. Ishte tregtar i mesëm në një qytet të vogël siç ishte dhe mbeti Shijaku përherë, me një dyqan me qira dhe një sipërfaqe toke vetëm 70 m2 në atë qytet.

Nuk pati asnjë pasuri të tepërt, vetëm aq sa i mjaftoi të kishte një shtëpi e të rriste 5 fëmijët dhe të simpatizonte për Luftën Nacional Çlirimtare. Kishte qenë një tregtar që jo vetëm i ndihmonte materialisht, por edhe kishte fshehur dhe shpëtuar partizanë dhe komandantë të rëndësishëm të zonës. Por e gjitha kjo nuk e shpëtoi që në 1946, për plot 11 muaj të burgosej në një nga burgjet e improvizuara në Shijak e të torturohej për të “treguar se ku fshihte florinjtë imagjinarë”. Janë 11 muaj nga të cilët doli i shkatërruar fizikisht, por edhe psikologjikisht. Nuk tregoi çfarë ndodhi mes atyre mureve dhe nuk u hap asnjëherë me fëmijët e tij. Sot, nuk e di nëse ka një dosje për të, për atë që vuajti dhe mbi të gjitha: Kush shpifi se ai kishte florinj? Kush e denoncoi dhe kush ndikoi që, pavarësisht se ishte një prej kontribuesve të Luftës, të torturohej për 11 muaj? Kush ishin torturuesit e tij?

Fëmijët e tij, babai dhe xhaxhallarët e mi, duket se nga ky drejtim nuk mësuan asgjë ose nuk donin të mësonin. Ndoshta gjyshi, që ishte njeri i jashtëzakonshëm dhe shumë perëndimor në shpirt, i pat parë në sy dhe njohur xhelatët e shndërruar ndaj tij dhe mbylli gojën përherë pasi u ndje i zhgënjyer: Ndoshta ata që e çuan drejt torturës ishin njerëz që ai frekuentonte dhe i njhte mirë… Në fund të fundit, një histori e ngjashme me shumë tregtarë të kohës të torturuar dhe të shpronësuar, veçse në ndryshim nga ata që kishin pasuri, gjyshi im ishte vërtetë një tregtar pa pasuri.

Prandaj, a duam vërtetë sot të dimë? Dhe, nëse lexojmë të shkuarën me ndodhitë e të përditshmes së sotme, si do të silleshin shpifësit e rëndomtë që i hasim përditë, sikur të kishin imunitetin veprues të një diktature?

Libri i Lea Ypit “Të poshtëruar” na jep një çelës social që të lexojmë të tashmen përmes së shkuarës. Është një gjë e mirë që na ofron për të lexuar dhe krahasuar fatin e shumë të parëve tanë, që vuajtën atëherë, me atë që sot disa marrin guximin vetëm me fjalë ta shprehin në social mediat për të tjerë shqiptarë. Që për arsye nga më banalet i urrejnë, i kanë zili, mendojnë ndryshme, apo thjeshtë sepse nuk i njohin fare apo kanë informacionin e gabuar. Për fat sot, nuk e kanë mundësinë të mbyllin askënd 11 muaj në birucë e ta torturojnë sepse imagjinojnë apo shpifin se ka fshehur florinj… Apo jo?/Shqiptarja.com