Prokuroria e Fierit mbyll hetimet dhe çon për gjykim dy nipërit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanajt, Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj dhe miku i tyre Gerald Kollçaku, të cilët dhunuan efektivët e Forcave Operacionale dhe agjentët e BKH-së gjatë një operacioni të SPAK më 15 prill.

Të tre përballen me akuzën “goditja për shkak të detyrës”.Sipas Prokurorisë, të pandehurit, pavarësisht se efektivët u prezantuan, i kanë ndjekur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tyre për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre. Ata u arrestuan dhe janë hetuar në masën e arrestit në burg dhe arrest në shtëpi.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 prill rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos, në afërsi të kompanisë së ndërtimit ‘Shkëlqimi 07’, në pronësi të Shkëlqim Kapllanaj, vëllai i Agron Kapllanaj. Djali i Shkëlqimit bashkë me djalin e vëllait tjetër, Pëllumbit u përplasën fizikisht me oficerët e BKH-së, ndërsa në konflikt u përfshi edhe Gerald Kollçaku, punonjës i fabrikës dhe mik i tyre.

Gjatë kohës që ishin duke kryer veprime, ata janë filmuar nga një person, çka i ka detyruar të largohen nga vendi ku ishin pozicionuar. Rreth 30 minuta më pas, gjatë kohës që ishin duke qendruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga kanë kanë zbritur tre personat, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit. Sipas SPAK-ut, hetuesit e BKH-së dhe efektivët e policisë po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme tha se hetuesit e BKH u goditën pa asnjë shkak. Në dëshminë e tyre në polici, dy nipërit e Kapllanajt pretenduan se nuk e dinin që personat ishin të SPAK.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit K.K., L.K. dhe G.K. për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 237/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 509 të vitit 2025, të kryera në bashkëpunim me policinë gjyqësore, u arrit të provohet se, më datë 15.04.2025, punonjësit e policisë pranë Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, sëbashku me oficer të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar në qytetin e Fierit të planizuar me shërbim, me qëllim kryerjen e veprimeve hetimore.

Gjatë ditës sipas dinamikës kanë lëvizur në vende të ndryshme në qytetin e Fierit. Po në këtë datë, punonjësit e policisë janë ndjekur dhe më pas ndaluar nga të pandehurit, ku pavarësisht prezantimit të tyre si punonjës policie, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me veprimeve aktive kanë ushtruar dhunë fizike ndaj oficerëve të policisë, për shkak të ushtrimit të detyrës së ligjshme të tyre.

Në lidhje me ngjarjen e mësipërme, të pandehurit janë arrestuar në flagrancë dhe janë hetuar me masë sigurimi “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar për të garantuar veprimtarinë e rregullt shtetërore, autoritetin shtetëror dhe shëndetin e personave që kryejnë një detyrë shtetërore, nga veprimet kriminale.