Mesfushori i Chelseat, Cole Palmer, do të jetë jashtë fushave për gjashtë javë të tjera për shkak të një dëmtimi në ijë, tha trajneri Enzo Maresca në prag të ndeshjes së së shtunës në Premier League kundër Nottingham Forest.

Palmer pësoi një dëmtim në gusht, por u rikthye në fushë me dy gola radhazi kundër Brentford dhe Bayern Munich. Megjithatë, 23-vjeçari ndërkombëtar i Anglisë e përkeqësoi dëmtimin gjatë humbjes 2-1 të Chelseat ndaj Manchester United më 20 shtator.

“Isha gabim (në lidhje me Palmerin). Fatkeqësisht, ai duhet të mungojë për gjashtë javë të tjera”, u tha Maresca gazetarëve të premten. Ne përpiqemi ta mbrojmë Cole sa më shumë që të mundemi. Gjëja më e rëndësishme është që kur të kthehet, të jetë plotësisht në formë.

“Stafi mjekësor nuk është magjistar. Shpresojmë që gjashtë javë të jenë të mjaftueshme. Duhet ta shohim hap pas hapi. Sigurisht, ai do të jetë mirë. Ai duket i relaksuar. Është përpjekur të rikuperohet nga lëndimi dhe po bën të gjithë terapinë.”

Palmer, i cili ka shënuar dy gola në katër ndeshje në të gjitha garat këtë sezon, pritet të humbasë ndeshjen kundër Forest, një ndeshje të Ligës së Kampionëve kundër Ajax Amsterdam dhe një tjetër ndeshje të Premier League kundër Sunderland.