Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike pas mbledhjes së sotme ka njoftuar se kanë nisur procedurat parlamentare për propozimin e shkarkimit nga detyra të Presidentit, Bajram Begaj për “shkelje të rëndë të Kushtetutës”.
Grupi Parlamentar i PD gjithashtu ka bërë me dije se miratuan dorëzimin e dy kërkesave lidhur me ngritjen e Komisionit Hetimor për parregullësitë në zgjedhjet e 11 Majit 2025 si dhe mbi bashkëpunimin midis kryeministrit Edi Rama dhe Charls McGonigal.
Gjithashtu Grupi Parlamentar i PD-së shkruan se refuzimi i mocioneve për debat dhe interpelancës me kryeministrin janë të papranueshme dhe sipas tyre Rama kërkon të ketë një Kuvend memec.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike gjatë mbledhjes së sotme e konsideroi të papranueshme ekzekutimin e mekanizmave parlamentar të kontrollit nga ana e mazhorancës socialiste, që në muajin e parë të kësaj Legjislature të re, duke përforcuar idenë se Edi Rama kërkon një Kuvend memec ku nuk flitet, debatohet, paraqiten ide apo alternativa.
Vetëm në këtë javë, mazhoranca në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, ka refuzuar 3 mocione me debat, 1 kërkesë për interprelancë urgjente me Kryeministrin dhe 1 kërkesë për seancë dëgjimore në Komision me Ministren e Arsimit.
Mocionet me debat lidheshin me çështje të rëndësishme në interes të publikut:
Prioritetet e Qeverisë në programin e Qeverisë që përparojnë axhendën europianë të Shqipërisë;
Dënimin e genocidit serb të kryer në Kosovë, në vijim të kërkesës së Presidentes së Kosovës SHSZnj. Vjosa Osmani;
Gjetjen e mekanizmave ligjor që ofrojnë siguri për Bashkimin Europian që të hiqet bllokimi i vendosur ndaj 112 milion euro ndihmë për fermerët shqiptarë nga programi IPARD 3. Për këtë qëllim, ngritjen e një Komisioni të Posacëm Parlamentar.
Interpelanca urgjente me Kryeministrin ishte kërkuar në vijim të investigimeve nga media italiane, ku rezultonte sipas përgjimeve të Antimafias Italiane, se përfaqësues të Qeverisë Shqiptare ishin takuar në Aruba me kartelet e drogës, me qëllim gjetjen e mekanzimave për pastrim parash në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë ishte ftuar të jepte sqarime nëse kishte dijeni për këtë cështje, nëse kartelet e përmenduara në investigim kishin përfituar leje apo licenca në Shqipëri, si dhe për masat që Këshilli i Ministrave ka ndërmarrë për luftën ndaj krimit të organizuar.
Gjithashtu, pas paraqitjes së gjetjeve të ekspertëve, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi:
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 90 të Kushtetutës, të nis procedurën parlamentare për propozimin e shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës Bajram Begaj për “shkelje të rëndë të Kushtetutës”.
Në vijim të diskutimeve të mëparshme, Grupi Parlamentar i PD, miratoi dorëzimin e dy kërkesave:
Për ngritjen e Komisionit Hetimor për parregullësitë në farsën zgjedhore të 11 Majit 2025.
Për ngritjen e Komisionit Hetimor mbi bashkëpunimin e provuar nga drejtësia amerikane midis Kryeministrit Edi Rama dhe ish-agjentit të dënuar në SHBA Charls McGonigal.
Lidhur me kërkesat e Grupit Parlamentar të PS për ngritjen e dy Komisioneve të Posaçme Parlamentare, lidhur me Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale, Grupi Parlamentar i PD vlerëson se pjesëmarrja e opozitës në këto Komisione do të mundësohet vetëm nëse puna në to ndërtohet mbi bazën e garancive të barazisë pozitë-opozitë, të konsensusit në vendimmarrje në Komision dhe në seancë plenare, të respektimit të parimit të transparencës dhe gjithëpërfshirjes, si dhe të angazhimit në proces sipas fushave që mbulojnë të ekspertëve të OSBE-ODIHR, Këshillit të Europës, të Komisionit të Venecias dhe të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë duhet të respektojë dhe të pres me qëllim bërjen pjesë të punës së tij edhe Raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit”, thuhet në njoftim.