Hamas i kërkon Izraelit të përfshijë palestinezë të njohur në listën e të burgosurve që do të lirohen pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi që parashikon gjithashtu lirimin e pengjeve nga Gaza.

Kërkesa e Hamasit vjen pasi Ministria izraelite e Drejtësisë publikoi emrat e 250 të burgosurve palestinezë që pritet të lirohen, por përjashtoi shtatë figura të njohura, përfshirë Marwan Barghoutin dhe Ahmad Saadatin.

Këta burra, të dënuar për përfshirje në sulme vdekjeprurëse në Izrael, prej kohësh shihen nga palestinezët si simbole të rezistencës.

Pritet që njëzet pengje izraelite të lirohen para orës 12:00 të së hënës si pjesë e marrëveshjes së propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump.

Një zyrtar i lartë palestinez, i njohur me bisedimet, tha për BBC se i dërguari amerikan Steve Witkoff kishte premtuar ta shtrojë çështjen e përjashtimit të këtyre të burgosurve palestinezë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por Izraeli ka refuzuar kategorikisht përfshirjen e tyre.

Nuk është e qartë nëse kjo do të përbëjë një pengesë në marrëveshje apo nëse do të ndikojë në afatin e lirimit të pengjeve nga Gaza dhe të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Lirimet janë pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit dhe kthimit të pengjeve, e miratuar këtë javë për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gaza.

Nuk dihet ende si do të ndodhë lirimi i pengjeve këtë herë – më parë, Hamasi i ka paraqitur pengjet publikisht, duke zemëruar Izraelin dhe aleatët e tij perëndimorë.

Trupat e pengjeve të vdekur do të kthehen gjithashtu. Mendohet se të paktën 26 pengje kanë vdekur, ndërsa për fatin e dy të tjerëve nuk ka informacion.

Izraeli do të lirojë gjithashtu rreth 250 të burgosur palestinezë që vuajnë dënime të përjetshme dhe edhe 1,700 palestinezë nga Gaza që janë arrestuar.

Hamasi kishte paraqitur një listë me të burgosur që kërkon të lirohen, ku përfshiheshin Barghouti dhe Saadat.

Barghouti po vuan pesë dënime të përjetshme plus 40 vjet të tjera burg, pasi në vitin 2004 u dënua për organizimin e sulmeve që çuan në vrasjen e pesë civilëve.

Sondazhet e opinionit tregojnë vazhdimisht se ai mbetet lideri më i popullarizuar palestinez, dhe se shumica e palestinezëve do të votonin për të në një zgjedhje presidenciale, përpara presidentit aktual të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, apo liderëve të Hamasit.

Barghouti është ende një figurë e rëndësishme në fraksionin Fatah, që dominon Autoritetin Palestinez dhe qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar që nuk janë nën kontrollin izraelit.

Saadat, udhëheqës i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP), u dënua me 30 vjet burg në vitin 2008, pasi u shpall fajtor për drejtimin e një “organizate terroriste të paligjshme” dhe për përfshirje në sulme, përfshirë vrasjen e një ministri izraelit në vitin 2001.

Në mesin e 250 të burgosurve që pritet të lirohen është edhe Iyad Abu al-Rub, komandant i Xhihadit Islamik, i dënuar për organizimin e sulmeve vetëvrasëse në Izrael në fillim të viteve 2000, që lanë të vrarë 13 persona.

Sipas ministrisë izraelite të drejtësisë, ai do të lirohet ose në Gaza, ose do të dëbohet jashtë vendit.

BBC ka mësuar gjithashtu se Hamasi po kërkon edhe lirimin e disa të burgosurve shtesë – konkretisht atyre palestinezë që ishin liruar vite më parë si pjesë e marrëveshjes për lirimin e pengut Gilad Shalit, por që u arrestuan sërish pas 7 tetorit.

Hamasi argumenton se, duke qenë se ata ishin pjesë e një shkëmbimi të mëparshëm pengjesh, nuk duhet të përfshihen në kuotën prej 250 vetash.

Në Izrael, spitalet po përgatiten për lirimin e pengjeve, ndërsa familjet presin rikthimin e të afërmve të tyre.

Faza e parë e marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi të premten, me fillimin e armëpushimit dhe tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite nga disa pjesë të Gazës. Qindra kamionë ndihma pritet të hyjnë çdo ditë. Faza të tjera janë ende në proces negociatash.

Qindra mijëra palestinezë janë rikthyer nga jugu i Gazës në qytetin e Gazës, javë pas arratisjes nga ofensiva izraelite që shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit.

Agjencia e mbrojtjes civile e kontrolluar nga Hamasi në Gaza ka bërë të ditur se po zhvillon operacione për nxjerrjen e trupave nga rrënojat, me njerëz që ende rezultojnë të zhdukur në të gjithë territorin.

Lufta e Izraelit në Gaza u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.

Që nga ajo kohë, sipas ministrisë së shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi, 67,682 palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake izraelite në Gaza./BBC