Hapet për herë të parë programi Master Shkencor “Siguria Publike dhe Hetimi i Krimit”, në Akademinë e Sigurisë.
Kjo iniciativë, që do të pasurojë armatën e Policisë me profesionistë të pajisur me dije të mirëfillta shkencore, u përshëndet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i cili u shpreh:
“Fakti që Akademia ofron një program master shkencor është një arritje shumë e madhe, akademike dhe vlerësuese për shkollën. Quajeni veten të privilegjuar! Kam besim se ky është një produkt që do t’i japë vlera të shtuara organizatës sonë.
Ofrimi i këtij masteri nga Akademia e Sigurisë është një gjë madhore, për shkak të faktit se deri dje e ofronin universitete që në fakt nuk kishin asnjë lidhje me informacionet profesionale në fushën e rendit, sigurisë dhe metodikave të hetimit.
Në Akademi ka ekspertë profesionistë me një karrierë të gjatë profesionale, që mund ta ofrojnë eksperiencën e tyre gjatë zhvillimit të programit mësimor në nivelin “Master Shkencor”. Gjithashtu, ju keni përvojë në fushën e sigurisë dhe jam i bindur që produkti në përfundim do të jetë i shkëlqyer. Suksese të gjithëve!”
Ndërkaq, Rektori i Akademisë së Sigurisë, Profesor Ilirjan Mandro, theksoi se pas akreditimit institucional dhe programor të kësaj Akademie, hapja e programit të nivelit të dytë të arsimimit “Master Shkencor” konsolidon këtë Akademi në përgatitjen e kapaciteteve profesionale jo vetëm në Policinë e Shtetit, por edhe në strukturat e tjera ligjzbatuese.
Mandro: “I gjithë ky proces për hapjen e këtij programi është kryer në përputhje me standardet më të mira të arsimimit dhe kualifikimit. Certifikimi në nivelin “Master” është kërkesë edhe për ecurinë në karrierë të punonjësve të Policisë së Shtetit në nivelet e larta drejtuese.”
Akademia e Sigurisë, institucioni elitë i formimit policor, angazhohet të vijojë me këmbëngulje dhe përkushtim punën, me qëllim ofrimin e një arsimimi cilësor dhe me standarde europiane, për të gjithë ata që synojnë t’i shërbejnë misionit të Policisë së Shtetit dhe sigurisë së qytetarëve.