Në një rrëfim ekskluziv për “Grida Duma Podcast”, Endrit Thaçi ka folur për përballjen e babait të tij, ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë dhe për rolin e tij historik në politikën kosovare.

I pyetur nga Grida Duma nëse beson që ish-presidenti do të rikthehet në jetën politike pas përfundimit të procesit gjyqësor, Endrit Thaçi tha:

“Nuk ka politikan më të përmbushur dhe më të suksesshëm se babai im, ndërsa a do kthehet në politikë apo jo, unë këtë nuk e di, por do ta respektoj çfarëdo vendimi që ai do ta marrë.”

Në një moment tjetër të bisedës, Grida Duma e pyeti drejtpërdrejt nëse politikanët aktualë të Kosovës mund të krahasohen me figurën e Hashim Thaçit.

Endriti u përgjigj me bindje:

“Askush nga ata nuk mund ta kalojë historinë që ka kaluar babi. Babi ka kaluar gjithë historinë e Kosovës që nga themelimi i UÇK-së, nga Rambujea, bisedimet në Vjenë, Pavarësia e deri te shtet-ndërtimi. Kështu që historia flet, nuk ka nevojë të flas unë.”

Ky episod me Endrit Thaçin hapi një seri bashkëbisedimesh të “Grida Duma Podcast”, me rrëfime të forta dhe emocionale nga personazhe të ndryshëm të jetës publike dhe jo vetëm.