Igli Tare, drejtori sportiv i Milanit nuk e ka gjetur rrugën të shtruar në karrierë. ‘Biondi’ i sulmit ka treguar së fundmi në një intervistë televizive se pas ardhjes së sistemit demokratik në vendin tonë, ai emigroi për në Greqi dhe më pas për në Gjermani.

Tare është ndalur edhe te detajet, duke thënë se për gjashtë muaj në Gjermani ka punuar edhe si kopshtar dhe në fillimet e tij i vinte turp nga kjo punë, duke u maskuar. Pas disa javëve, Tare thotë se është ndjerë krenar që mund të mbijetonte dhe të ndihmonte familjen edhe me këtë punë. Tanimë në majën e kupolës së Milanit, Tare tregon se si arriti të gjente një ekip në Gjermani.

“Çfarë ju shtyu të largoheshit nga Shqipëria? Këto ishin idetë e viteve ’90. Dëshira ime për të provuar një karrierë jashtë Shqipërisë. Ndoshta, me kalimin e viteve, ishte ideja e gabuar, ndoshta zgjodha rrugën më të gjatë, sepse mund të kisha pasur karrierën më të mirë me ekipin kombëtar.

Fillimi? Shkova në Greqi vitin e parë dhe ishte një përvojë plot me ulje-ngritje. Pata mundësinë të përjetoja anët pozitive dhe negative të vendit ku jetoja. Periudhën e egër dhe të shëmtuar të pikëpamjeve raciste ndaj shqiptarëve.

Për këtë arsye, zgjodha të shkoja në Gjermani më vonë, për t’u futur në botën e futbollit. Përshtatja ime ishte traumatike, isha vetëm, duke filluar nga e para. Me çantën në shpatull shkova të gjeja ekipin ku mund të provoja veten dhe ata do të më jepnin mundësinë të bashkohesha.

Shkova atje një pasdite, në shkurt ose mars, u kërkova të stërvitesha me ta dhe pastaj më thanë se mund të qëndroja me ta; madje më gjetën edhe një punë.

Punoja si kopshtar. Në fillim, isha shumë në siklet. Dy javët e para në Gjermani, mendoja se kush do të më njihte, mbulohesha, mbaja vetëm sytë hapur sepse mendoja se nëse dikush më shikonte, do të thoshte ‘ja si kaloi nga futbollist në kopshtar’.

Pastruam me kolegët e mi, grupin e punës, pastruam parqet, lulet, pemët, por pas dy ose tre javësh, jetoja me krenari sepse nuk po bëja asgjë të gabuar, përveçse po mbijetoja dhe kisha një mundësi financiare për të ndihmuar familjen time. Kjo ishte e vetmja punë që kisha. Punova për gjashtë muaj, pastaj u largova dhe pata mundësinë të provoja për një ekip të madh në Gjermani gjatë asaj kohe”, tha mes të tjerash Igli Tare.