Nico Paz, fantazisti 21-vjeçar i Comos është padyshim zbulimi i sezonit të shkuar në Serie A. Argjentinasi edhe këtë sezon po ‘luan të njëjtën melodi’, duke bërë që shumë klube të jenë pas tij.

Sipas ‘TyC Sports’, një nga portalet kryesore të vendit amerikano-latin, Interi është gati t’i ofrojë 58 milionë euro Real Madridit për Nico Paz. Pse Real? Sepse ‘Galaktikët’ kanë mundësinë ta blejnë talentin argjentinas për 10 milionë euro verën e ardhshme. Zikaltërit gjithmonë kanë pasur një interes të fortë për të dhe kjo nuk është sekret.

Zëvendëspresidenti Javier Zanetti darkoi me babanë e tij një vit më parë. Të dy kanë luajtur së bashku për ekipin kombëtar dhe e njohin njëri-tjetrin. Interi thuhet se ka krijuar marrëdhënie me rrethin e tij për të siguruar një marrëveshje shpejt, duke ia kaluar konkurrencës dhe mbi të gjitha, duke bindur Real Madridin.

I dalë nga të rinjtë e Real Madrid, Nico Paz në verën e 2024 u largua drejt Comos për 6 milionë euro, mirëpo Real Madrid ka një klauzolë për ta blerë verën e ardhshme për 10 milionë euro. Nëse nuk do ta mbajë në ekip, Real duket se ka mundësinë për ta shitur për 58 milionë euro dhe Interi është gati për ta bërë një ofertë të tillë.