Liburn Aliu, ish-ministër i Infrastrukturës në qeverinë e Albin Kurtit në Kosovë, ka marrë zyrtarisht detyrën si drejtor i ri i Autoritetit Portual të Durrësit. Gjatë ceremonisë së prezantimit, Aliu e cilësoi Portin e Durrësit si një nyje strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe të gjithë rajonin.
Ai theksoi se një pjesë e madhe e mallrave që hyjnë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kalojnë përmes këtij porti, ndaj modernizimi dhe zgjerimi i kapaciteteve të tij janë thelbësorë për zhvillimin ekonomik rajonal. Ai shtoi se baza e NATO-s në Porto Romano do të ketë një rol të rëndësishëm në rritjen e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.
Një detyrë që më është besuar dhe që është mjaft sfiduese sepse porti i Durrësit nuk është vetëm i Shqipërisë, por është porti i të gjithë shqiptarëve, rajonit dhe port që sot Kosova thuajse pjesën dërrmuese të mallrave e merr përmes këtij porti. Një pjesë e madhe shkon drejt Maqedonisë së Veriut dhe është e domosdoshme që porti të modernizohet që të jetë sfidues dhe konkurrent në të gjithë rajonin. Për të realizuar këtë duhet të shihet në aspektin gjeopolitik, që Kosova dhe RMV të jenë pika prej ku mallrat do të shpërndahen në rajon. Kam pasur nderin dhe fatin të punoj bashkë me zv. kryeministren në forume të ndyshme të rajonit, dhe qasja që kemi pasur për të gjithë rajonin na ka bërë ne që si dy vende krahas të kemi një platformë të qartë për zhvillimin e treansportit në të gjithë rajonin.
Kjo e bënte edhe Kosovën dhe Shqipërinë të ndërvarura me njëra-tjetrën. Kosova ka nevojë të ketë lidhje të forta në portin e Durrësit. Kjo i krijon asaj mundësi të mira të zhvillimit ekonomik. Porti i Durrësit të zgjerojë kapacitetet që kjo sasi mallrash të shumëfishohet dhe do të ndihmonte që të dyja vendet, ajo ndërvarësi t’i bëjë më të zhvilluara dhe më të sigurta. Porti i NATO-s në Porto Romano do të ndihmojë për të gjithë rajonin që të ketë siguri.
Detyrë dhe sfidë për ne që portin e NATO-s, krahas atij të mallrave ta zhvillojmë si duhet dhe të jetë lidhje komunikimi hekurudhore dhe automobilistike me rajonin. Unë këtu mbase jam prej Kosove, atje më shohin si të Shqipërisë. Nuk është e lehtë por gjithsesi këtë detyrë do ta bëjmë bashkë dhe uroj të kemi sukses dhe ta shohim Portin e mallrave të lidhur me rrjete rrugore dhe hekurudhore në të gjithë rajonin”, tha ai.
Ai u prezantua ne një aktivitet ku ishte e pranishme edhe zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në hetim nga SPAK, Belinda Balluku.




















