Këshilli i Ministrave ka publikuar këtë të enjte parashtrimet për shkarkimin e Veliajt në Kushtetuese.
Sipas Këshillit të Ministrave, vendimi për shkarkim u mor pas miratimit të një propozimi nga Këshilli Bashkiak Tiranë për largimin e Veliajt nga detyra.
Ky propozim është verifikuar dhe konfirmuar nga Prefekti i Qarkut Tiranë i cili më pas e ka përcjellë në Këshillin e Ministrave siç parashikohet në nenin 61 pika 3 të ligjit nr 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” që përcakton se në rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit këshilli bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit.
Në bazë të këtij zinxhiri procedurial dhe mbështetur gjithashtu në nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 62 të ligjit nr 139/2015 qeveria ka miratuar vendimin për shkarkimin e kryebashkiakut
Në arsyetimin e saj qeveria thekson se ka vepruar në përputhje të plotë me kuadrin kushtetues dhe ligjor që rregullon funksionimin dhe përfundimin e mandateve të të zgjedhurve vendorë.
Ndërkohë Erion Veliaj ka ankimuar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën. Ai kërkon gjithashtu shfuqizimin e dekretit të Presidentit që cakton datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Bashkinë Tiranë dhe pezullimin e efekteve të këtij dekreti deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në kërkesën e tij Veliaj i referohet nenit 115 pika 2 dhe 3 të Kushtetutës sipas të cilit kur kryetari i bashkisë e ankon vendimin për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese efektet juridike të këtij vendimi pezullohen automatikisht deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e çështjes dhe ka kërkuar zyrtarisht dokumentacionin përkatës nga institucionet për të vijuar me procedurën kushtetuese.