Në limitin e fundit të afatit zyrtar për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie në Tiranë, por dhe në Vlorë, Mat, Cërrik, Berat dhe Tepelenë, Partia Demokratike i ka dhënë fund dilemës së daljes me një kandidat me siglën e saj, PD!

Që në mbledhjen e kryesisë së disa ditëve më parë, Berisha dhe PD kanë vendosur që të mos dalin me një emër zyrtar për kandidat për kryebashkiak në të 6 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e parakohëshme me 9 nëntor. Zyrtarisht partia më e madhe opozitare ka vendosur se do të mbështesin kandidatë të pavarur që janë vetëofruar me vullnetin e tyre të ‘lirë’ për të garuar!

Kjo mënyrë pjesëmarrjeje në garën zgjedhore nga ana e Berishës për zgjedhjet e pjesshme vendore në këto 6 bashki, është një version pak më i ndërlikuar se ai i Lulzim Bashës kur ishte po në krye të PD-së, në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor, në pranverë të 2023!

Basha, asokohe me ‘këshillën’ e Gaz Bardhit me sa duket, nuk kandidoi në emër të PD asnjë emër për kryetar bashkie në të gjithë vendin, përjashtuar Tiranën dhe disa ‘kokrra’ të tjera, të cilët më shumë garuan me dhunë se sa me dëshirën e kreut të atëhershëm të PD.

Dhe në këto zgjedhje më 9 nëntor të këtij viti, me sa duket po me ‘këshillën’ e Gaz Bardhit, Berisha ka vendosur që të mos kandidojë asnjë emër me siglën e PD në të 6 bashkitë e vendit, të cilat janë në zgjedhje të pjesshme, duke aplikuar në këtë mënyrë një version më modern të bojkotit të zgjedhjeve.

Këtë radhë, Berisha mendon se pikërisht kandidatët e pavarur do të jenë ata që do të marrin stafetën e garës në Tiranë dhe 5 bashkitë e tjera në vend më 9 nëntor, duke marrë përsipër njëherësh edhe koston e humbjes së sigurtë në këto zgjedhje!

Berisha, për të mbuluar pafuqinë e gjetjes së kandidatëve për të garuar sidomos në kryeqytet, ku dy figurat potenciale të PD që mbledhin vota, Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti refuzuan të kandidojnë përballë Ogerta Manastirliut, të përzgjedhurës së PS për kryetare bashkie në Tiranë, ndërkohë që drejtuesit më të lartë të PD nuk e bëjnë një ‘lek’ për vota në kryeqytet dhe për pasojë, të ‘trazuar’ nga Berisha, vendosi që të lërë fushë të lirë për të gjithë ata emra që dëshironin të hynin në këtë garë, praktikisht e sigurtë si e humbur jo vetëm në Tiranë por dhe në 5 bashkitë e tjera!

Figurat e vetëofruara për kryeqytetin nuk munguan dhe në këtë rast, duke filluar nga kreu aleat konservator Kujtim Gjuzi, ish-kryegardiania e burgut të grave Xhoi Jakaj, e deri tek zyrtarja e PD Adriana Kalaja si dhe të konsultuarit me krerët e partive opozitare, përkatësisht Ermal Hasimja, Florian Haçkaj dhe Edlira Çepani, të cilët morën vëmendjen e publikut si dhe interesin në analizat e medias dhe në panelet televizive!

Por zhvillime të papritura ndodhën ditët e fundit, teksa në mënyrë të papritur, listës së kandidatëve për kryetar bashkie në kryeqytet i shtohet Florian Binaj, ish-aktori i humorit në ‘Portokalli’, njëherësh drejtues i një emisioni investigativ në një TV që thuhet se është në pronësi të familjes së Berishës. Duke treguar qartazi se nuk e kishte në kokë të vet shpalljen e kandidaturës si i pavarur!

U propozua dhe Fatos Lubonja nga bashkëpunëtori më i afërt i Berishës, megjithëse ishte thjeshtë për të ‘ngatërruar gjurmët’, dhe në fund të herës të gjitha këto kandidatura janë hedhur në publik si kandidatë të pavarur, për t’u ‘shquar’ në fund Binaj!

Megjithëse flitet për kandidatë të pavarur, Berisha me sa duket e ka ruajtur ‘ekskluzivitetin’ për të përzgjedhur kandidatin që dëshiron ai, për ta mbështetur përmes PD, partisë që drejton, në fushatën për zgjedhjet e 9 nëntorit të këtij viti në kryeqytet!

Në mënyrë që kandidati i pavarur të jetë ‘pronë’ e familjes Berisha, teksa në treshen kryesore për Tiranën, kryesia e vogël e PD ka zgjedhur përkohësisht këtë të hënë aktorin komik afër familjes së Berishës, Florian Binaj, si dhe dy kandidatët e pavarur të dakordësuar dhe me partitë e tjera opozitare, Ermal Hasimja e Florian Haçkaj.

Si koperturë këta 3 të fundit, pasi Berisha e kishte zgjedhur që në krye të herës Binajn! Të cilin, pas mbledhjes së kryesisë së vogël të PD, doli dhe e deklaroi zyrtarisht si kandidatin e pavarur që do të mbështesë PD.

Mbetet për t’u parë nëse përpos Binajt, përballë Manastirliut do të ketë dhe figura të tjera të mbështetura nga partitë e vogla opozitare, të cilat kanë hedhur si propozime Hasimen, Haçkajn e Çepanin! Pasi kanë heshtur deri më tani për mbështetjen zyrtare të Berishës për aktorin e humorit, Florian Binaj!

Po përse Berisha iu ‘dorëzua’ kandidaturave të pavarura dhe jashtë ‘propozimit’ zyrtar të PD, për t’i mbështetur nga jashtë për garën e 9 nëntorit, dhe nuk nxori vetë një kandidat me firmë e vulë nga PD, me logon e siglën e partisë, për të cilën është rropatur shumë gjatë gjykatë më gjykatë duke luftuar me Bashën e duke përdorur si ‘kallauz’ Bardhin derisa e mori në pronësi të vet?!

Në krye të herës Berisha dhe PD u zunë gafil e të papërgatitur për zgjedhjet në Tiranë dhe në 5 bashkitë e tjera, pasi shpresuan që Rama do të vijojë pafund ta mbajë Tiranën me nënkryetarë të komanduar, pa tentuar që të iniciojë shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të bashkisë, i cili gjendet i paraburgosur këtu e 7 muaj nën akuzën për korrupsion!

PD kishte protestuar 7 muaj rresht përballë bashkisë së Tiranës duke kërkuar shkarkimin e Veliajt, dhe atëherë kur u shkarkua me të vërtetë Veliaj me vendim të këshillit bashkiak edhe me votat e opozitës, u pranua dhe nga qeveria shkarkimi, u gjet totalisht e papërgatitur!

Çka tregon se protestat e kauzat e PD janë të improvizuara dhe pa asnjë strategji, thjesht dinë se kur fillojnë por jo se kur mbarojnë ato, apo mbi të gjitha për të marrë ndonjë rezultat! Bjeri t’i biem me një fjalë, sa për të qenë ‘Kola në punë’! As kandidatë s’kishin gati!

Pavarësisht ‘piruetave’ të Berishës dhe mbështetësve të tij, të cilët pafuqinë për të garuar tentuan ta fshehin pas ankimimit të Veliajt në Kushtetuese për shkarkimin nga posti por dhe për dekretin e president por dhe për dekretin e presidentit Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve, duke sulmuar fort kreun e shtetit, në fund të herës u vendos nga kreu i opozitës që të bëjnë një version të ‘korrektuar’ bojkoti të 9 nëntorit, duke mos nxjerrë kandidatë në emër të PD, por duke i mbështetur të gjithë ata të pavarur, që i pëlqenin Berishës! Mundësisht ata që janë të propozuar nga familja Berisha, për të qenë kandidatë që do të mbështeten nga PD, sikurse ndodhi me Florian Binajn.

Kjo zgjedhje e Berishës nuk u bë nga qejfi, por nga halli, për shkak se PD nuk kishte asnjë figurë potenciale për të garuar përballë Manastirliut dhe për të shënuar të paktën një humbje dinjitoze në zgjedhjet e 9 nëntorit! Partia më e madhe opozitare e drejtuar nga Berisha është rrënuar aq shumë dhe e ‘thyer’ në atë farë feje pa busull, në limitet ku thërret qameti, sa nuk gjen dot një emër për të garuar as formalisht në Tiranë! Qoftë dhe për të humbur! Çka tregon qartë se PD e ka mbyllur misionin e saj, shkurt e ka ulur ‘qepenin’!

Njëherësh Berisha, teksa mbështet kandidatin e pavarur të ‘kontrolluar’ prej tij, Florian Binajn, të cilin deklaroi zyrtarisht se e mbështet PD, heq nga supet barrën e përballimit të humbjes së thellë të paralajmëruar më 9 nëntor, në kryeqytet dhe në 5 bashkitë e tjera ku do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme! Me një fjalë nuk jep llogari askund – formalisht kuptohet – se Berisha nuk pyet njeri, për humbjen e radhës përballë Ramës! Sikurse nuk ka pyetur as për humbjen e zgjedhjeve parlamentare më 11 maj, teksa nuk dha dorëheqjen sipas statutit të PD.

Ndërkohë që barrën e humbjes e marrin kandidatët e pavarur që u ‘vetëofruan’ për të garuar dhe për t’u ‘vetëflijuar’ më 9 nëntor, por dhe partitë e vogla opozitare, të cilat në rastin më të mirë do të mbështesin Binajn! Nëse e mbështesin, me një fjalë! Lapaj kishte deklaruar se e mbështet Binajn si kandidat të pavarur në garën për kryeqytetin! Fundja e ka pasur atë bashkëthemelues të “Shqipëria Bëhet”!

Nga ana tjetër, sigla e PD nuk figuron në asnjë prej emrave të kandidatëve të pavarur, pra as të Binajt, që do të garojë në kryeqytet! Duke treguar qartë se figurat me peshë në PD, të cilët as që e menduan të japin dorëheqjen, por dhe ata që nuk tentuan të deklarohen se do të garojnë në emër të PD, nuk kanë fare besim dhe as garanci tek sigla “PD”, tashmë nën drejtimin e Berishës.

Kjo tregon qartë se në çfarë derenxheje janë katandisur kreditet e partisë më të madhe opozitare, sa të kenë turp e frikë dhe vetë kupola e PD që të garojë me siglën e PD!

Njëherësh, as partitë e tjera opozitare nuk pranuan që kandidaturat e pavarura të rëna dakord gjatë negociatave të mbanin siglën e PD, por të mbështeteshin nga jashtë nga të gjitha partitë opozitare.

Po kështu dhe vetë kandidatët e vetëofruar për të garuar për kryeqytetin refuzuan siglën e PD, si ‘markë’ të zhvleftësuar dhe të skaduar në politikën shqiptare që nuk ofron garanci as për një humbje dinjitoze.

Prandaj Berisha vendosi që të fusë nga ‘dritarja’ kandidatin e familjes së tij, si një kandidat që do ta mbështesë PD dhe sipas gjasave dhe vetë opozita! Berisha nuk zhgënjeu as në këtë rast, bëri sa bëri ‘pirueta’ me takime me partitë opozitare, figura nga shoqëria civile, dhe fap në fund nxori ‘as’-in nën mëngë – Florian Binajn, nga ‘borderoja’ e televizionit të familjes së tij, si kandidat të ‘pavarur’ për bashkinë Tiranë!

Të presim dhe të shohim se çfarë rezultati do të japë më 9 nëntor përzgjedhja e kandidatëve të pavarur, të mbështetur nga jashtë prej PD dhe partive të tjera opozitare!

Për dy gjëra jemi të sigurtë: humbja e kandidatit të mbështetur nga opozita përballë Manastirliut është e garantuar dhe diskutohet vetëm thellësia e kësaj humbjeje në Tiranë. Njëherësh me të njëjtën gjatësi vale dhe në 5 bashkitë e tjera!

Dhe e dyta, Berisha nuk do të ketë kasavetin e daljes para mediave me shkop në dorë për të justifikuar humbjen përballë kandidatëve socialistë! Barrën e humbjes do ta mbajnë kandidatët e pavarur dhe partitë aleate bashkë me ta! Do të përpjestohet!

Fundja Berisha e provon dhe këtë ‘mal’ për të gjetur fitoren, pavarësisht se fitorja ka kohë që është ‘arratisur’ nga PD dhe aleatët e saj. Ka përmbi 12 vite që s’janë takuar me të, ia kanë humbur ‘erën’! As këtë radhë s’ka asnjë shans!