Hapat pas të Sali Berishës për të bashkëpunuar me kryeministrin Rama për arritjen e një reforme zgjedhore dhe asaj territoriale, por gjithashtu dhe një ulje e mundshme në tryezë për të bërë ndryshime në Kushtetutën e vendit, kanë qenë kryefjalë e ditëve të fundit.
E ftuar në Report Tv, Alesia Balliu komentoi përballjen e kreut të SPAK, Altin Dumanit dhe Sali Berishës në Kuvend, por dhe sulmet që ky i fundit së bashku me anëtarët e partisë hodhën drejt tij.
“E turpshme që Berisha e sulmoi Dumanin kur ky la sallën e parlamentit. Berisha është mësuar të godasë në pabesi pasi ka qenë aftësia më e madhe duke sulmuar të gjithë kundërshtarët politikë në pabesi dhe duke e mbajtur partinë në bazë të intrigave.
Kjo është urdhër i dhënë nga Berisha, i cili kërkon të sulmojë institucionet e drejtësisë për të mbrojtur legjitimitetin e tij brenda partisë. PSAK ka bërë një punë të mirë, më shumë të arrestuar janë nga PS dhe bashkëpunëtorë të Ramës. Nuk kam parë një zyrtar të lartë të PD-së të jetë arrestuar, përvec liderit”, tha Balliu.
Ndër të tjera, ajo komentoi dhe reagimet e Dumanit gjatë kohës që demokrati Flamur Noka po bërtiste me të madhe që Rama është padron i tij dhe se Dumani vepron në bazë të interesave personalë të kryeministrit.
“Flamur Noka kur përmend fjalën padron, i drejtohet vetes së tij, se i udhët t’i marri leje Berishës për të shkuar në banjo. Teatër me aktorë të dobët. Ky thotë që thotë Dumani është vartës i Ramës. Me logjikën e madhështorit Noka, i bie që Rama ka urdhëruar Edi Ramën të lirojë Sali Berishën”, tha Alesia Balliu.
Juristja tha se 57 pyetjet që opozita kishte përgatitur për kreun e SPAK ishin mediokre dhe të formuluara sipas interesave të lidershipit, pra Berishës.
“Opozita nuk ishte e mirëorganizuar dhe me pyetjet mediokre të parashkruara. Bënë pyetje sipas oreksit dhe interesit të lidershipit të saj. Dhe PL kishte hallin e Ilir Metës. Askush nuk i kërkoi llogari SPAK-ut për punën. Lajmi i ditës është qe Berisha u bë prap me Ramën për Zgjedhoren. Sot Berisha e di që nuk frymëzon më e as nuk fiton. Po e mban PD për të bërë disa operime që i interesojnë për biznesin familjar.
Berisha e ka kryer misionin e tij politik. Erdhi me premtimin e rithemelimit, do mposhte Ramën e do i sillte fitoren demokratëve. Tani gjeti farsën zgjedhore. Cfarë misioni ka tani, për të ruajtur pasuritë e veta familjare?”, tha juristja.
Alesia Balliu komentoi gjithashtu zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen më 9 nëntor në bashkitë Cërrik, Vlorë, Berat, Mat dhe Tepelenë. Rezultati është 5 me 0 për Partinë Socialiste. Ky ishte parashikimi i juristes bazuar në fitoren e thellë të PS-së në parlamentaret e 11 majit.
“5 me 0. Ky është rezultati. Cfarë ka ndryshuar nga 11 maji deri tani, asgjë. U vërtetua farsa zgjedhore, u bë ndonjë protestë? Sot PD është më keq se ajo e 2022. Nuk kanë bërë një mbledhje se nuk i beson më askush. E kanë braktisur qytetarët. Është shitur interesi i demokratëve për interesin personal të Berishës”, tha ajo.




















