Nëse ju kujtohet N’Golo Kante, me siguri në mendje ju vjen edhe buzëqeshja e tij që nuk e heq kurrë nga fytyra. Ylli i Al-Ittihad në Arabinë Saudite, ekip ku luan edhe Mario Mitaj, është i njohur jo vetëm për bëmat në fushën e lojës.

Disa vite më parë ai u shpall një nga mesfushorët më të mirë në botë për rolin e tij, duke kaluar shtatë sezone të mrekullueshme te Chelsea, teksa ka fituar edhe Champions League, Premier League apo edhe Botërorin me Francën.

Paçka se ka lindur në Paris, Kante nuk e ka harruar prejardhjen dhe ka bërë sërish një tjetër investim të madh në Mali, shtetin e Afrikës Perëndimore. N’Golo Kante ka financuar një strukturë mjekësore të teknologjisë së fundit me vlerë 5 milionë dollarë që do të ndërtohet në Bamako. Qendra mjekësore do të përqendrohet në mirëqenien e fëmijëve dhe kujdesin shëndetësor të familjeve në nevojë.

Veç saj ai ka ndërtuar edhe struktura arsimore, si dhe ka ofruar internet falas për shumë fshatra në Mali. Veç saj, prej vitesh në fshatin e origjinës banorët marrin një pension mujor për gjërat e domosdoshme.

Në verën e 2023, të gjithë u habitën kur Kante në kulmin e karrierës la Chelsea dhe kaloi në Arabinë Saudite, por përgjigjja e tij ishte e qartë.’Njerëzit që njoh kanë nevojë për ndihmë dhe unë nuk do t’i braktis’. E sigurt është se ai asnjëherë nuk e heq buzëqeshjen nga fytyra.