Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një bashkëbisedim me gra dhe vajza të Kasharit, ku ndau vizionin e saj për zhvillimin e kryeqytetit, me theks të veçantë tek kujdesi social dhe fuqizimi i rolit të gruas në komunitet.

Gjatë takimit, Manastirliu foli për vizionin “Tirana 2030”, që kujdeset për familjet dhe mbështet e fuqizon rolin e gruas.

“Tirana e 2030 do të jetë qyteti që nuk le askënd pas. Tirana 2030 duhet të jetë qyteti që i jep mundësi grave, nënave, të kenë më shumë hapësira për punësim, falë mbështetjes dhe investimeve në çerdhe, kopshte, shkolla, për t’i lejuar ato për të pasur më shumë hapësirë.
Tirana 2030 do të jetë hapësira që ne do të krijojmë për nënat, për fëmijët, të cilët do të qëndrojnë edhe pas mësimit në shkollë. Tirana 2030 do të jetë Tirana, ku ne do të jemi më afër njëri-tjetrit, sepse hapësirat publike, ato hapësira që sot ne po i çlirojmë dhe po i kthejmë për njerëzit, mund të shërbejnë që t’i afrojmë komunitetet së bashku, të gumëzhijnë nga zërat e fëmijëve me parqe, me hapësira çlodhëse, me hapësira sportive, aty në zonën, tek lagjet ku ne jetojmë dhe ku kalon pjesa më e madhe e kohës sonë”, tha Maastirliu.

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu u shpreh se plani i saj ndërtohet mbi fuqinë e grave dhe vajzave, të cilat janë në zemër të çdo ndryshimi që ndodh në qytet në familje, në punë dhe në komunitet.

“Unë e di dhe jam tërësisht e vetëdijshme se çfarë hallesh, problemesh dhe sakrificash kalojmë ne gratë, dhe gratë janë një fuqi e madhe që çon familjen përpara, por që çon komunitetin dhe shoqërinë përpara. E di shumë mirë se çfarë barre dhe përgjegjësie mbani mbi supe në të përditshmen tuaj, ashtu siç e di shumë mirë se çfarë force të jashtëzakonshme ju keni për të tejkaluar dhe për të kapërcyer sfida të mëdha, qoftë brenda familjes apo komunitetit.

Por e di mirë që fuqia jonë është fuqia që e çon Tiranën përpara.”