Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, në vijim të takimeve me banorë të zonave të ndryshme të Tiranës, u ndal sot me banorë dhe biznese të Njësisë 9. Për disa legjislatura me radhë, Manastirliu ka qenë kandidate e Njësisë 9, zëri i banorëve në çdo forum dhe bashkëpunëtorja më e afërt e tyre për zgjidhjen e problemeve të përditshme, nga infrastruktura deri te shërbimet sociale e komunitare.
Ajo ndau me komunitetin e kësaj njësie vizionin për Tiranën, duke vënë në qendër planin “Tirana 2030” dhe Rilindjen Urbane 2.0, programi që do të sjellë një frymëmarrje të re për lagjet, hapësirat e përbashkëta dhe jetën komunitare.
“Tirana 2030 fillon pikërisht nga këtu, nga lagjet, me hapësira të gjelbërta, të pastra, me më shumë jetë komunitare, çerdhe, kopshte dhe shkolla të reja”, tha Manastirliu, duke vënë theksin te rëndësia e rikthimit të hapësirave publike në shërbim të njerëzve.
Programi Rilindja Urbane 2.0, siç u shpreh Manastirliu, synon ta kthejë çdo hapësirë të çliruar në një vend për komunitetin, për fëmijët, prindërit, të moshuarit dhe të rinjtë.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët, në çdo rrugë dhe biznes të zonës, Manastirliu u ndal me ta për të ndarë ide konkrete për përmirësimin e lagjes, nga ndriçimi publik e deri te shtimi i gjelbërimit dhe hapësirave për fëmijët dhe të moshuarit.
Takimi në Njësinë 9 shënoi një tjetër ndalesë në turin e takimeve me komunitetet e Tiranës, ku Manastirliu po ndërton dialogun qytetar që do të udhëheqë kapitullin e ri të zhvillimit urban e social të kryeqytetit.