Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me të rinjtë e Laprakës, ku theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në projektet dhe investimet që sjellin ndryshime konkrete në çdo lagje të Tiranës.

“Bashkia, si shtëpia jonë e përbashkët, na duhet të ketë kontributin e të gjithëve, e tek ju në radhë të parë, që jeni të rinjtë e qytetit. Imagjinoni sa shumë mund të bëjmë bashkë.

Ju mund të sillni një ndryshim të prekshëm, sepse ne duam që të sjellim për Laprakën edhe më shumë investime, duke filluar nga rrugët që ende nuk janë prekur në zonat më të thella, si drejt Institutit e më tutje.”

Duke u ndalur te planet konkrete për zhvillimin e Laprakës, Manastirliu vuri në dukje nevojën për të rijetëzuar hapësirat publike dhe për t’i kthyer ato në shërbim të të rinjve dhe gjithë komunitetit.

“Duam të rijetëzojmë të gjitha lulishtet në zonën e Laprakës, që nga fusha e futbollit, tek blloku ‘Gintash’ e deri te rruga pranë Spitalit Ushtarak. Duam të kemi më shumë qendra për të rinjtë, si qendra TUMO, ku sot afro 3500 të rinj mësojnë, programojnë dhe zhvillojnë aftësi të reja. Ne duam që qytetit policentrik t’i shtohen vlera të tilla që rrisin mundësitë për çdo të ri e të re.”

Takimi me të rinjtë e Laprakës ishte pjesë e serisë së bashkëbisedimeve që Manastirliu po zhvillon në çdo lagje të Tiranës, për të ndarë idetë dhe projektet e saj për një qytet gjithëpërfshirës, ku çdo zë, veçanërisht ai i të rinjve bëhet pjesë e vizionit të saj për Tirana 2030.

Ad